Lajme Shqip Thursday, 08 March 2012 12:57

Beograd-“SHBA-të mbështesin sovranitetin e Kosovës dhe janë kundër shpalljes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. Në rast se Serbia i organizon ato në veri, përfaqësuesit e serbëve nuk do të kishin kurrfarë legjitimiteti as ndërkombëtar as me ligjet e Kosovës”.

Kështu ka thënë ambasadorja amerikane në Beograd, Meri Uorlik për mediat serbe. Ajo ka përkujtuar se edhe zgjedhjet e Serbisë të mbajtura në Kosovë në vitit 2008, ishin shpallur jo legjitime nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ashtu siç ishin pa legjitimitet edhe institucionet komunale serbe.

Ambasadorja Uorlik ka përsëritur se për SHBA të, çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur. Pavarësia e Kosovës përbën një rast të veçantë dhe nuk mund të shërbejë si model në raste të tjera

Duke folur për pozitën  serbëve në Kosovë, ajo tha se  “Kushtetuta e Kosovës siguron mbrojtje për serbët kosovarë. Do të dëshironin që një përparim të tillë në sundimin e ligjit të shohim edhe në veri të Kosovës, në mënyrë që serbët edhe aty të kenë një jetë cilësore. Ambsadorja amerikane Meri Uorlik në fund ka nënvizuar se Shtete e Bashkuara besojnë fuqishëm se ndarja nuk është në interesin e askujt”.

Ndërkohë edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zhbogar ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe mund ta përkeqësojë situatën dhe jo të zgjidhë problemet.

Ai për mediat lokale serbe në Kosovë, ka thënë se “do të dëshironte që Serbia të mos organizojë zgjedhje në Kosovë dhe se BE pret nga vendi që është kandidat për anëtarësim të sillet në përputhje me statusin që ka dhe të zgjidhë problemet me dialog, dhe jo njëanshëm.”

Diplomati slloven, që është edhe shef i zyrave të BE-së në Kosovë, ka thënë se madje edhe Rezoluta 12 44 flet qartë se kush ka përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, dhe kjo nuk është Serbia.

“Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, nuk do të na ofrojë kah dialogu, por do të përkeqësojë situatën dhe retorikën dhe kjo nuk na çon në zgjidhje”, ka vlerësuar Zhbogar.

Ditë më parë, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiq Dejanoviç, ka deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht se a janë ato në jug apo veri të Kosovës.

“Zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar dhe nuk do të bëhet kurrfarë dallimi ndërmjet komunave në jug dhe veri” të Kosovës, është thënë në kumtesën e lëshuar nga kabineti i saj. (LajmeShqip.com)