Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 09:23

Anglia ka vënë vërtetë alarmin. Mediat elektronike dhe gazetat po publikojnë artikuj me titra të mëdha duke shkruar: “NE JEMI MË KEQ SE SHQIPËRIA”… Pas lajmit rreth statistikave të nxjerra nga Forumit Botëror Ekonomik, sipas të cilës Anglia renditej mbas Shqipërisë për nivelin e arsimimit në shkenca dhe matematikë, çështja është kthyer vërtetë shqetësuese për ta.

Tabloidi anglez “The Sun” ka publikuar një artikull që flet për familjen shqiptare Muça që jeton në Angli. Të shkuar dikur si emigrantë për një jetë më të mirë, megjithëse sot janë nënshtetas anglez, Petrit dhe Xhulieta Muça tregojnë se si djalin e tyre të madh Aleks e sjellin në Shqipëri për të ndjekur shkollën. Çifti i cili zotëron një dyqan në Sunderland ka thënë për “The Sun”:

“Pakënaqësia jonë ndaj sistemit arsimor në Angli qëndron vetëm në faktin se ai është i përkushtuar vetëm në aftësitë kreative. Por, fëmijët kanë nevojë të mësojnë për shkencat, matematikën dhe leximin!”

Petrit Muça për këtë arsye e ka sjellë djalin e tij Aleks tek prindërit e tij për të ndjekur sistemin tradicional edukativ të Shqipërisë. Të hënën ai do të fillojë të ndjekë vitin shkollor në kryeqytetin Tiranë të Shqipërisë, me një pagesë vjetore për arsimimin prej 1700 eurosh dhe do të kthehet për pushime tek familja e tij në Angli.

“Është një sakrificë e madhe për ne, por duhet të bëjmë atë çfarë është më e mirë!” ka thënë Xhulieta.

(LajmeShqip.com)