Lajme Shqip Saturday, 11 August 2012 03:33

Egjipt – Rreth 180 turistë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në Sharm el Sheik të Egjiptit, dhe nuk kanë mundësi të kthehen në Shqipëri pasi pretendojnë se janë braktisur nga agjencia turistike.

Turistët shqiptarë thonë se kanë kontaktuar me përfaqësues të agjencisë turistike “Pasha Holiday”, por ata u kanë thënë të gjejnë mundësinë për tu rikthyer vetë në vendlindje, pasi kompania ka falimentuar.

Në një komunikim telefonik me NEWS24, njëri prej turistëve, Eduard Smajli, tregon se rreth 180 shtetas shqiptarë kanë shkuar në Egjipt që prej datës 2 gusht me kompaninë “Pasha Holiday”, por prej ditës së parë kanë hasur probleme me prenotimin e hotelit, pavarësisht se kishin paguar paketën e plotë që në nisje të udhëtimit.

“Që ditën e parë na dolën disa shqetësime me prenotimet e hotelit. Në hotel kompania paguante me ditë, është e pakuptimtë. Që prej katër ditësh ne paguajmë nga xhepi jonë. Tani na kanë thënë bëni përpjekje të ktheheni vetë. Këtu ka njerëz që nuk kanë para, sepse kur nisesh me pushime i paguan të gjitha dhe nuk llogarit të marrësh shumë para.”- u shpreh Smajli. 

Turistët shqiptarë i bënë apel autoriteteve shqiptare që ti ndihmojnë për tu rikthyer në Atdhe, pasi nuk kanë mundësi për ta siguruar vetë udhëtimin.

NJË CHARTER I KOMPANISË “BELLE AIR” NISET TË HËNËN DREJT EGJIPTIT PËR TË MARRË TURISTËT
Ora: 21:50 – Pak minuta pas publikimit të lajmit në NEWS24, apelit të turistëve për ndihmë iu përgjigj drejtori i Fondacionit “Besa” Bajram Muça, falë ndërhyrjes së të cilit, në Egjipt do të dërgohet të hënën një avion charter për të rikthyer turistët në Shqipëri.

Mësohet se kontrata për charterin është nënshkruar me kompaninë “Belle Air”. Një avion i kësaj kompanie do të niset të hënën drejt Egjiptit për të marrë turistët e bllokuar.(B.W)