Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 11:37

Shkup – Xhezair Shaqiri, i njohur me nofkën e luftës Hoxha, përmes një komunikate për media ka vlerësuar të mërkurën se shqiptarët e Maqedonisë aktualisht janë në pozitën më të mjerë se kurdoherë më parë. Prandaj, sipas tij, “nevojitet një zgjidhje e patjetërsueshme dhe sa më e shpejtë për dalje nga kjo krizë” dhe se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të tolerojnë që edhe tutje të jenë nën kthetrat e maqedonasve, të shfrytëzohen nga ata, të jenë vegla të tyre dhe të punojnë për interesat e tyre në dëm të popullit të vet”.

“Shqiptarëve u nevojitet një bashkim, një lëvizje gjithëpopullore shqiptare nga Maqedonia, e cila do t’i mbrojë interesat e popullit që po shkelen vazhdimisht. Shqiptarëve u nevojitet një Shqipëri e shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë ushtruesi i detyrës, kryetar i Partisë Demokratike Kombëtare (PDK) Xhezair Hoxha.

Sipas Hoxhës, ka disa muaj që ka pasur kontakte të shumta me parti të ndryshme të shqiptarëve të Maqedonisë, intelektualë dhe shoqata joqeveritare, me të cilët siç ka thënë, “kemi rënë dakord që të formohet një Lëvizje për bashkim, ku në platformën e saj do të parashihen gjitha kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë”.

“Së shpejti do të dilet me një platformë që do t’iu ofrohet shqiptarëve të Maqedonisë, ku do të ftohet elektorati shqiptar të votojë për një Parlament të shqiptarëve të Maqedonisë dhe për t’i mbrojtur interesat shqiptare, ne do të formojmë një Parlament të shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup”, ka thënë ish deputeti i PDK-së, Shaqiri.

Sipas tij, shqiptarëve të Maqedonisë nuk u intereson të hyjnë në NATO ose në BE pa i gëzuar të drejtat e tyre elementare në shtetin ku jetojnë. Madje shton se Marrëveshja e Ohrit nuk është përfunduar dhe siç pohon, “konsiderojmë se Marrëveshja e Ohrit  është varrosur nga LSDM, VMRO dhe aleatët e tyre shqiptarë”.

“Andaj, nëse marrim mandatin e popullit, kjo lëvizje do ta kushtëzojë qeverinë e Maqedonisë që brenda një muaji të përgatitë një Marrëveshje të re shqiptare –maqedone. Maqedonia mund të ekzistojë vetëm si shtet dy etnik, si shtet i dy popujve shumicë, i maqedonasve etnik dhe shqiptarëve”, ka thënë ai. Ndryshe, përkrahës dhe ideator të kësaj Lëvizje gjithë popullore shqiptare që pritet të promovohet së shpejti, sipas tij, janë njerëz të dëshmuar në rrugën e tyre kombëtare shqiptare, si Bardhyl Mahmuti, disa intelektual të përkushtuar që punojnë për kauzën shqiptare, shoqata joqeveritare etj.