Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 07:25

Shkodër – U mbyll normalisht mbrëmë procesi i votimit në komunën e largët malor të Shalës, në Qarkun e Shkodrës, ku sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, për të tretën herë këtë komunë, dje u zhvilluan zgjedhjet  për kryetarin e kësaj njësie zgjedhore, ndërkohë që materialet zgjedhore mësohet se u nisën drejt KZAZ-së nr. 42 në Shkodër.

Ora 19.00 e mbrëmjes të së dielës shënoi mbylljen e procesit zgjedhor në këtë komunë dhe në ndryshim nga raundet e mëparshme, kur për arsye të ndryshme, procesi nuk u bë i mundur të zhvillohej, sot gjithçka ka vijuar normalisht dhe 1800 votuesit e kësaj komune votuan për kandidatët e dy forcave më të mëdha politike, Dedë Tonaj i PD-së, i cili kandidon për një mandat të tretë dhe Bal Vuksani i PS-së.

Burime nga prefektura e Shkodrës bënë të ditur se që nga ora 08.00 e mëngjesit, kur nisi procesi i votimit në të pesë qëndrat e votimit, ai u zhvillua normalisht dhe pa asnjë incident. I vetmi moment për t’u theksuar ka qënë ai i orës 09.30, kur për arsye teknike, procesi i votimit në qendrën e votimit që përfshin fshatin NënMavriç, u bllokua përkohësisht, për të rinisur mbas 30-të minutash, pas sqarimit të problemeve në KZAZ.
Procesi i votimit është ndjekur nga afër edhe nga përfaqësuesit e të dy kampeve politike, ku nga krahu i djathtë ka qënë kryetari i Partisë Demokratike për Shkodrën dhe deputet i kësaj zone, Astrit Bushati, i shoqëruar nga kolegu i tij në Parlament, deputeti Gjok Uldedaj, ndërkohë që nga krahu i majtë, kanë qënë deputetët Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj.

Sipas informacioneve të marra nga KZAZ -ja nr. 42, që përmbledh edhe këtë komunë, pas orës 19.00, kur është mbyllur procesi i votimit, baza materiale e të pesë qëndrave të votimit, e shoqëruar nga forcat e policisë është nisur drejt qytetit të Shkodrës, ku pasi të merret në dorëzim do të nisë procesi i numërimit të votave për të përcaktuar fituesin e kësaj komune në mandatin e ri të qeverisjes vendore.

Zgjedhjet e mbajtura më 8 maj në këtë komunë u shpallën të pavlefshme nga KQZ, e cila kërkoi përsëritjen e tyre më 31 korrik. Por, mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve të dy partive, PD dhe PS, penguan zhvillimin e procesit, i cili u shty për më 21 gusht.

Strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut ishnin në gatishmëri të plotë për ruajtjen dhe sigurimin e rendit e qetësisë publike gjatë përsëritjes së procesit zgjedhor, dje, në komunën malore të Shalës, duke zbatuar me korrektësi ligjin për përmbushjen e detyrimeve  në përputhje me Kodin Zgjedhor te Republikes së Shqipërisë.

Zëdhënësja e policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, bëri të ditur se gjatë gjithë ditës së djeshme, procesi i votimit në 5 qendrat e votimit të komunës së Shalës, u zhvillua normalisht, duke mos u shënuar asnjë problem apo incident.

Pas përfundimi të procesit të votimit, punonjësit e policisë janë të angazhuar në shoqërimin i materialeve zgjedhore për në KZAZ-në përkatëse.

Gjithashtu, dje nga ana e shërbimeve policore të Drejtorisë së Policisë Qarkut Shkodër janë marrë të gjitha masat konform ligjit, bazuar në Kodin Zgjedhor te Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen dhe sigurimin e qëndrës së numërimit të votave.