Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 17:59

Prishtinë-Është e sigurt që bisedime për veriun do të ketë, thotë nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala. Pas zgjedhjeve në Serbi, kur pritet vazhdimi i dialogut Prishtinë – Beograd, Shala thotë se pala kosovare në koordinim me faktorin ndërkombëtar, duhet të ketë ofertën e vet për integrimin e veriut. Ndërkaq qëndrimet e kryeministrit Thaçi se nuk do të ketë bisedime për këtë pjesë të Kosovës, Shala i konsideron si jo reale.

“Dialogu Kosovë – Serbi është zhvilluar gjithmonë kur ka pasur interes për të Beogradi dhe është ndërprerë atëherë kur i është dashur Beogradit. Edhe kësaj radhe do të ndërpritet për shkak të zgjedhjeve të 6 majit. Faktikisht, çfarë dimë ne është që materia e këtij dialogu, që është kualifikuar si teknik është shterur, implementimi nuk është gati askund, ka telashe të shumta edhe marrëveshja për menaxhim të integruar të kufijve”, ka thënë Shala në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Duke folur për veriun e Kosovës, Shala është shprehur se “mund të them me siguri të plotë është që bisedime për veriun do të ketë. Ne mund të themi për çdo ditë dhe të luajmë me kartën e patriotizmit dhe të mohojmë se do të ketë bisedime, por objektivisht problemi i veriut ekziston në segmentin e qartë të integrimit të kësaj pjese dhe të popullatës lokale në Kosovë.

Nëse integriteti i Kosovës nuk është problem falë qëndrimit të perëndimit, vendeve të Quintit – e dëgjuam edhe deklaratën e fundit të sekretares Clinton – megjithatë integrimi i kësaj pjese është problem real, të cilin e kemi pranuar të gjithë dhe që ka dalë në shesh veçmas pas 25 korrikut të vitit të kaluar. Ne, gjithsesi, e kemi një konsensus, gjë që është mirë, që për veriun plani i vetëm duhet të jetë zbatimi i Planit të Ahtisarit, por ne duhet ta bëjmë një ofertë të plotë, e cila natyrisht fillimin dhe fundin e ka në zbatimin e propozimit të presidentit Ahtisari”, tha ai.

Sipas Shalës, është e qartë që, si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, do të insistojnë që kjo temë të mbyllet. “Ju e dini fare mirë që KFOR-i duhet ta përmbyllë misionin, e po ashtu dihet që edhe EULEX-i i ka 2-3 vjet më së shumti në Kosovë dhe një strategji dalëse e perëndimit prej Kosovës nënkupton që Kosova të mbetet një shtet funksional. Tekefundit, ne synojmë që deri në shtatorin e këtij viti, apo deri në vjeshtën e vonë të këtij viti ta përmbyllim mbikëqyrjen e pavarësisë. Të gjitha këto së bashku tregojnë që ne duhet t’i adresojmë të gjitha problemet e mbetura”, tha ai.

Ai gjithashtu ka thënë se “asnjë marrëveshje e mundur me Serbinë nuk mund të zbatohet nëse nuk ke garant të fuqishëm në trajtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Kështu që edhe rreth veriut, mendoj që partneriteti ynë do të bëjë që jo vetëm të arrihet një dakordim se si do të integrohet veriu i Kosovës, por gjithsesi edhe të zbatohet ai dakordim në një periudhë afatmesme kohore”.