Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 10:19

Prishtine – Bashkërenduesi i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Blerim Shala ka thënë se veriu i Kosovës nuk do të ketë trajtim të veçantë dhe çështja duhet të zgjidhet deri në qershor të vitit të ardhshëm në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Nënkryetari i AAK-së, Shala, thotë se nuk duhet ngatërruar mbështetjen që kjo parti u jep proceseve politike me debatet rreth mundësisë së bashkëqeverisjes me PDK-në. Ai thotë se veriu i Kosovës është temë e interesit nacional dhe në trajtimin e saj është gabim të kemi ndarje mes qeverisë dhe opozitës. “Për këtë shkak ne jemi ofruar dhe jemi së bashku në këtë proces”, tha ai.

Nënkryetari i AAK-s, Blerim Shala, duke folur për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, ka thënë se veriu i Kosovës kurrë nuk do të jetë temë e trajtimit politik.

“Integriteti territorial i Kosovës, nuk është çështje e diskutimit politik me këdo qoftë. Por, objektivisht ne kemi problemin e integrimit të banorëve lokal, qytetarëve serbë të veriut në sistemin juridik kushtetues të Kosovës, për dallim, për fatin tonë prej pjesët tjetër të serbëve të Kosovës. Pikë për të cilën nuk ka debat, nuk ka diskutim është shpërbërja e strukturave ilegale të sigurisë të Serbisë në veri”, ka thënë Shala në një intervistë për Zërin e Amerikës

Platformën e re të Beogradit për bisedimet me Kosovën, në të cilën është përvijuar kërkesa për një entitet të veçantë në veri, diçka e ngjashme Republikën serbe, Shala nuk e konsideron si befasi.

“Nuk kemi pritur që Beogradi do të dalë me ndonjë ofertë më të moderuar, megjithëse kryeministri serb Dacic, ka dhënë disa deklarata inkurajuese, sepse ai disa herë ka përsëritur që Kosova është humbur në luftën e vitit 99 e këndej. Kemi të bëjmë me një dokument që disi është kombinim apo sintezë e gjithë atyre propozimeve që tashmë kanë kaluar nëpër duart tona. Prej propozimit të kryetarit serb (Slobodan) Milosevic në Rambouillet, pastaj ishte njëfarë platforme e Kuvendit të Serbisë në vitin 2004, kanë qenë pozicionet e delegacionit të Serbisë në bisedimet e Vjenës dhe me ne fund katër pikshi i presidentit serb, Boris Tadic. Dhe kemi nje dyzim të gjithë këtyre pikave me qëllim që të hapin një çështje që jo vetëm për ne, por edhe për fatin tonë të mirë edhe për perëndimin është e mbyllur, tema e statusit të Kosovës. Kjo është çështje e kryer. Edhe nëse e shihni agjendën e zonjës Ashton në bisedimet e Brukselit, nuk ka gjë fjalë për statusin e Kosovës”, tha ai.

Shala beson se çështja e veriut të trajtohet shumë shpejt. “Nuk shohim se problemet në veri kanë karakter të tillë që të mos zgjidhen deri në qershor. Çfarë duhet është një vullnet i mire i Serbisë”.

Nënkryetari i AAK-së ka folur edhe lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me futjen e partisë që drejtohet nga Ramsuh Haradinaj në koalicion me PDK-në, duke thënë se tema e veriut të Kosovës është temë e interesit nacional dhe në trajtimin e saj është gabim të kemi ndarje mes qeverisë dhe opozitës.

“Kosova ka qenë unike edhe ne Rambouillet edhe në procesin e Vjenës, se ndryshe nuk bën, sepse këto janë tema prek të cilave varet fati i Kosovës e jo fati në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këtë shkak ne jemi ofruar dhe jemi së bashku në këtë proces. Kjo nuk paragjykon asgjë. D.m.th, mund të ketë shenja që në këtë mënyrë krijohet një mirëbesim ndërmjet PDK-së dhe AAK-së dhe nesër bëhet ajo qeveria e koalicionit, por mund të ndodhë që faktikisht nuk do të krijohet qeveria e koalicionit. Por, kjo nuk do të thotë tash se unë apo Ramush Haradinaj do të hidhërohemi brenda natës dhe do të themi ‘nëse nuk doni të krijoni qeveri të tillë me ne, atëherë po e lëmë edhe punën e dialogut”.

“Do të ishte me të vërtetë sjellje fëmijërore e padenjë për ne dhe këtë temë duhet ta heqim njëherë e përgjithmonë prej tavolinës. Por, mendoj që qëndrimi i Ramush Haradinajt është për t’u përshëndetur. Jo që është kryetar i AAK-së, por të kthehesh pas tetë vjet ndërmarrjeje aq të rëndë për veten, për familjen e tij dhe të përçosh mesazhe pajtimi, qetësimi politik dhe gatishmërie për bashkëpunim, duke përfshirë edhe gatishmërinë t’i shërbesh vendit tënd, është një mrekulli i madhe”, tha Shala. (K.P)