Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 15:02

Koha e artë për bizneset kosovare është ajo gjatë sezonës verore, kohë kur në vend për pushime vijnë shumë mërgimtarë. Paratë që ata vetë shpenzojnë, por edhe ato që sjellin për familjet e tyre, bëjnë që bizneset të kalojnë në sezonin më të mirë të punës së tyre për gjatë vitit.

 Prania e shumtë e mërgimtarëve në Kosovë e sidomos në kryeqytet vërehet sidomos gjatë sezonit të verës. Fluksi i madh i këtyre të fundit, të cilët ia mësyjnë vendlindjes, ndihmon shumë edhe në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, e gjithë kjo falë shpenzimeve të shumta që ata zgjedhin t’i bëjnë gjatë pushimeve, por edhe parave që sjellin për të afërmit e tyre.

Për shumë biznese, sezoni i verës është një ndihmesë shumë e madhe në të ardhurat që fitojnë nga paratë e diasporës.

Ardhja e tyre në Kosovë, është një “infuzion” financiar që ndihmon në rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për lajmi.net.

“Është më së e vërtet që rëndësia e diasporës për ekonominë e Kosovës është e pa kontestuar. Është një rëndësi që duhet të analizohet nga disa dimensione, por ajo çka është më substanciale është dimensioni ekonomik. Është e vërtet që është një infuzion financiar i cili e rimëkëmbë ekonominë kosovare, qoftë në ndërmarrje të vogla të mesme ose edhe sektorë tjerë”, thotë Gërxhaliu.

Madje sipas tij duhet të ketë politika fiskale që janë të dedikuara vetëm për diasporën dhe kosovarët kudo në botë, që vërtet ata ta gjejnë vetën në Kosovë sa më mirë që të është e mundur, në veçanti që paratë e tyre të investohen aty ku mund të ketë efekte pozitive, pasi siç vlerëson ai, për diasporën më shumë është thënë se sa është bërë.

Jo vetëm bizneset, por efektin diasporë e kanë vërjetur edhe shitësit ambulant në kryeqytet.

Ata shprehen se gjatë sezonës së verës kur sheshet e Prishtinës janë përplotë me mërgimtarë, qarkullimi i tyre ditor është shumëfish më i madh se zakonisht.

Se diaspora luan një rol të fuqishëm në ekonominë e Kosovës e tregojnë edhe vlerat e larta të remitencave që pranohen në Kosovë.

Vetëm për tremujorin e vitit 2015, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Besnik Kada, pati deklaruar se vlera e remitencave të pranuara në Kosovë arriti vlerën prej 159.3 milionë euro, që paraqet një rritje prej 21.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkaq shuma e remitencave gjatë vitit të kaluar, pra më 31 dhjetor 2014 ishte 693 milionë e 700 mije euro.

Roli i diasporës kosovare kudo në botë vazhdon të luajë një rolë vendimtar në mirëqenien e shumë familjeve kosovare. /lajmi.net