Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 18:54

Tiranë – “Shqipëria është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive ligjzbatuese”, u shpreh Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në sesionin e Samitit, të 4-t Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm, në Seul të Koresë së Jugut, zhvilluar pak ditë më parë.

Kryeprokurorja Rama, në referatin që mbajti në këtë Samit, trajtoi si temë kryesore çështjen e sekuestrimit dhe administrimit të aseteve të krimit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe problemet e shfaqura me imunitet si pengesë për hetimin.

“Tranzicioni i Shqipërisë për në demokraci nuk ka qenë i lehtë. Nga rrënojat e një regjimi që pak i respektonte të drejtat e njeriut dhe ku ligjet aplikoheshin në mënyrë selektive sipas tekave politike, institucione të reja u deshën të krijoheshin, të cilat duhet t’i përgjigjeshin aspiratave demokratike të vendit. Dy dekadat e fundit kanë qenë një periudhë e transformimeve të mëdha, sfidave dhe sukseseve për shërbimin e prokurorisë shqiptare. Sot unë jam më e ndërgjegjshme se kurrë se disa nga këto suksese u bënë të mundura nga mbështetja dhe bashkëpunimi që kemi marrë nga kolegët dhe institucionet partnere”, u shpreh kryeprokurorja Rama

Rama shpjegoi se vendndodhja e Shqipërisë në Evropën Juglindore, si një urë mes lindjes dhe perëndimit e ka bërë atë një vend tranziti për organizatat kriminale që përdorën konfliktet dhe paqëndrueshmërinë politike në rajon gjatë viteve 1990 për të instaluar kanalet e trafikimit të narkotikëve dhe të qenieve njerëzore, nga Azia qendrore drejt vendeve te zhvilluara te Evropës Perëndimore.

Ajo theksoi se, “sot ne jemi krenarë që nëpërmjet punës sonë intensive dhe profesionale gjatë viteve të fundit, mundësitë për këto organizata kriminale po zvogëlohen, ndërsa vendi është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive të zbatimit të ligjit”.

Sidoqoftë, vijoi ajo, “lufta jonë kundër organizatave kriminale, lokale apo ndërkombëtare, është e lidhur ngushtë me luftën  kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”.

Duke folur për tranzicionin e gjatë drejt demokracisë, Kryeprokurorja Rama u shpreh dhe për sfidat e institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat duhet të kuptojnë ende potencialin e tyre të plotë.

Duke folur për sfidat e punës së institucionit të akuzës, ajo u shpreh se “prioriteti im ditor është të forcoj përpjekjet tona kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm si një detyrë për të përmbushur mandatin tonë kushtetues, por edhe si një përpjekje, për rivendosjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”.

Më tej, znj. Rama trajtoi dhe çështjen e ligjit antimafia, për sekuestrimin dhe konfiskimin jashtë procesit penal të pasurive që burojnë nga krimi organizuar, si një koncept i ri në legjislacionin shqiptar sepse e kthen barrën e provës tek personi, pasuria e të cilit dyshohet se buron nga veprimtaria kriminale. “Qëllimi i këtij ligji, u shpreh ajo, është parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Sa i takon luftës kundër korrupsionit, Kryeprokurorja Rama, theksoi se kemi krijuar me partnerët tanë shtatë njësi të përbashkëta hetimore kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, në zonat më të mëdha administrative të vendit.

“Megjithëse ka vend për përmirësim të mëtejshëm, rezultatet që kemi marrë nga këto njësi të përbashkëta hetimore kanë qenë befasuese, në veçanti lidhur me rastet komplekse të korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës, kontrabandës së naftës dhe hetimeve mbi krimin elektronik”, tha Kryeprokurorja Rama.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në krye të një delegacioni të Prokurorisë Shqiptare, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve dhe në Samitin e 4-t Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm, aktivitete të cilat zhvilluan punimet e tyre respektivisht nga datat 27-29 qershor dhe 30-1 korrik 2011, në Seul të Koresë së Jugut.

Pjesëmarrja e delegacionit të lartë të Prokurorisë shqiptare, që është e para në evenimente të këtij formati, u bë me ftesë të veçantë për kryeprokuroren, Ina Rama nga Komisioni Organizator i Samitit Botëror. Samiti i 4-t Botëror i Prokurorëve të Përgjithshëm, gjatë ditëve të zhvillimit të tij, trajtoi çështje të ndryshme që ngrihen sot përpara drejtësisë botërore veçanërisht ato që lidhen me krimin e organizuar e trafiqet e qënieve njerëzore.

Në të morën pjesë delegacione nga vende te ndryshme nga e gjithë bota të cilët, drejtoheshin nga prokurorët e përgjithshëm, Ministrat e Drejtësisë apo Drejtorët e Shërbimit të prokurorisë së këtyre vendeve.

Gjatë ditëve të zhvillimit të Samitit, Kryeprokurorja Ina Rama pati takime të shkurtra dhe kontakte me përfaqësues e titullarë institucionesh të vendeve të ndryshme, të cilët treguan interes për punën e Prokurorisë shqiptare dhe u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve mes tyre.