Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 23:29

Analisti i njohur amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, është shprehur se deklarata e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq për të caktuar ditën e përbashkët të përkujtimit për viktimat e të gjithë rajonit nuk është e duhur. Tha se Serbia duhet së pari të shkëmbejë ambasadorët me Kosovën.

Serwer theksoi se janë vet qytetarët e vendeve të ish-Jugosllavisë, e posaçërisht viktimat, ata që duhet të reagojnë ndaj një propozimi të tillë. Ai ka thënë se një propozim i tillë mund të funksionojë vetëm nëse është rezultat i pajtimit e jo të ketë pajtimin si synim.

Serwer pyeti se si do të reagonin serbët nëse një propozim i tillë do të vinte nga Hashim Thaçi apo Bakir Izetbegoviq.

I pyetur nëse Serbia nuk e ka të drejtën të dalë me nisma pozitive, analisti amerikan tha se “Serbia ka çdo të drejtë për të lansuar nisma pozitive, por edhe njerëzit e tjerë gëzojnë të drejtën për të reaguar ashtu siç ata e shohin të arsyeshme”.

Ai theksoi se jo vetëm në Ballkan konsultimet paraprake dhe mirëkuptimi reciprok janë të domosdoshëm për suksesin e nismave të tilla.

Serwer u shpreh se asnjë nga shtetet e rajonit nuk kanë as dëshirë e as mjete për të shkaktuar një lloj të jostabilitetit, i cili mbizotëroi në vitet e nëntëdhjeta.

“Me përjashtim të Serbisë, të gjithë janë tashmë ose anëtarë të NATO-s ose dëshirojnë të bëhen anëtarë të saj. Kriteri që ato fillimisht të ndërtojnë institucione demokratike pengon çfarëdo konflikti të mëtejmë mes tyre”.

Analisti amerikan nënvizoi se ende mbeten disa çështje të pazgjidhura, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me strukturat shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe shkëmbimi i ambasadorëve mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës.

“Kur e hapi postën time elektronike, mësoj serbët mendojnë se kjo që po flas është çmenduri. Ata thonë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Them se kjo duhet të ngjajë para anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Beogradi tashmë e ka njohur dhe pranuar autoritetin kushtetues të qeverisë së Kosovës në mbarë territorin e saj, por edhe idenë që Kosova do të përmbushë kriteret për t’u anëtarësuar në BE, gjë që nënkupton se Kosova do të hyjë në BE si një shtet sovran. Ky mund të mos jetë një hap i madh drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Serwer.

Ai deklaroi se të gjitha çështjet e lartpërmendura duhet të zgjidhen në të mirë të stabilitetit në Ballkan dhe të mos lejojnë që radikalizmi në mesin e myslimanëve të rajonit të dëmtojë Bosnjën dhe Kosovën.

“Gjithashtu, Greqia duhet të tërheq veton e saj ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe të mos pengojë perspektivën e saj evropiane”.

Serwer konkludoi se pajtimi fillon me njohjen dhe pranimin e dëmeve të luftës, nga ata lidershipi i të cilëve qëndron prapa këtyre dëmeve. Kjo do të mundësonte një proces të përbashkët. Megjithatë, thotë Serwer, në Ballkan ende nuk kemi arritur në një stad të tillë.