Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 06:45

Prishtinë – Nuk dihet ende kur Kosova do bëhet me president Republike pasi Behgjet Pacolli në fundin e marsit la këtë post kur Gjykta Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e tij më 22 shkurt pa kundërkandidat dhe pa praninë e së paku dy të tretave të deputetëve në seancën e Kuvendit të Kosovës, nga e cila ishte larguar opozita, qe ka shumicën e deputetëve shqiptarë.

Ushtrimin e detyrës së presidentit, bazuar në Kushtetutë, e rimori kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ishte president në detyrë edhe pasi ish-presidenti Fatmir Sejdiu kishte dhene dorëheqjen para rreth gjashtë muajve pas konstatimit të Gjykatës Kushteuese se kishte bërë shkelje serioze të Kushtetutës me mbajtjen edhe të postit të kryetarit të LDK-së.

Dorëzim-pranimi i detyrës së presidentit nga Pacolli te Krasniqi është shtyrë për të sot.

Opozita edhe sot ka ritheksuar se nuk ka ndryshuar qëndrimin që kishte më 22 shkurt, kur mosprania e saj në seancën e Kuvendit bëri që zgjedhja e presidentit të jetë jokushtetuese, sipas vlerësimit të gjykatës më të lartë të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në mbledhjen e sotme rikonfirmoi qëndrimet që “kanë të bëjnë me nevojën që të arrihet një marrëveshje mes partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës rreth zgjedhjes së presidentit. Zgjedhja e presidentit të jetë rezultat i një marrëveshjeje politike që do të shprehë interesat jo vetëm të subjekteve politike që janë në pozitë, por edhe të atyre që janë në opozitë, përkatësisht të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Moszgjedhja eventuale e presidentit, por edhe prishja e koalicionit PDK-AKR nëse nuk arrihet ndonjë koalicion i ri, e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, sikurse edhe pas dorëheqjes së Sejdiut dhe largimit të LDK-së nga qeveria në vjeshtën e vit të kaluar.

Nga subjektet shqiptare, koalicionin qeverisës e bëjnë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), fituese e zgjedhjeve, me 34 deputetë, Aleanca Kosova e Re (AKR) e koalicioni i saj zgjedhor me 8 deputetë dhe Lista Rugova, e cila ka 1 deputet. Gjithësejt në pozitë janë 43 deputetë shqiptarë.

Deputetët e tjerë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh janë nga minoritetet, gjithësejt 25, prej tyre 20 në vendet e rezervuara-garatuara me Kushtetutë, 10 për serbet e 10 për komunitetet tjera pakicë.

Mes këtyre shifrave të deputetëve të përbërjes së Kuvendit, por edhe marrëveshjeve politike, është formula për Presidentin e zgjedhur që e pret Kosova, në një kohë të rëndësishme për vendin e të dëshmimit të demokracisë së re të shtetit të ri evropian.