Lajme Shqip Wednesday, 05 September 2012 12:00

Prishtinë – Burime të GJK në prokurorinë e vendit thonë se rasti i ish-ministrit të Transportit dhe nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, është në përfundim e sipër dhe pritet që të finalizohet kah fundi i shtatorit apo fillimit të tetorit.

Sipas tyre, rasti kundër Limajt do të përfshijë atë, ish-drejtorin e prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqi, dhe shtatë persona tjerë.

Misioni evropian në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX, në kuadër të hetimeve ka marrë disa mostra të asfaltit të shtruara gjatë kohës kur Limaj ishte ministër i Transportit.

Limaj, tash deputet në Kuvendin e Kosovës, kishte nisur të hetohet për veprën penale të korrupsionit në prill të vitit 2010. Në këtë muaj ai edhe ishte marrë në pyetje për herë të fundit nga hetuesit e EULEX-it. Hetimet kishin mbaruar në prill të këtij viti.

Më 27 prill 2010 ishte bastisur MTPT-ja, vendbanimet e Limajt, por edhe zyra të kompanive private që janë marrë me shtrimin e rrugëve si dhe banesa vendbanimi e ish-shefit të prokurimit të Ministrisë, Nexhat Krasniqit.

Në maj të këtij viti, Limaj ishte shpallur i pafajshëm në të gjitha pikat e një akuze tjetër – për krime lufte, për shkak të mungesës së provave. (LajmeShqip.com)