Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 11:10

Prishtinë  – Ekipi negociator serb ka propozim të ri për zgjidhjen e vulave doganore të cilën do ta vë në tavolinën e bisedimeve më 5 shtator në Bruksel. Sipas burimeve të gazetës ditore “Blic”, pala serbe do të propozojë që në pikat kufitare të futen dy vula.

“Ideja është që të jenë vulat nga të dy anët, serbe dhe shqiptare. Në njërën do të shkruante ‘Dogana Kosovë’, apo ‘Dogana Pejë, Mitrovicë, Prishtinë’ e të tjera, në të cilat do të shkruante ‘UNMIK – Kosovë – shërbimi doganor’ ose ‘EULEX – Kosovë – shërbimi doganor”, thotë burimi i “Blic”-it, i afërt me ekipin negociator, i cili shton se pala serbe në asnjë mënyrë nuk do të pranoj vulën “Dogana e Republikës së Kosovës”. Pos kësaj, vula tjetër, siç thotë burimi, do të jetë në “përputhje me Rezolutën 1244”.

“Pas kalimit të kufirit, fillimisht do të vendosej vula nga pala shqiptare, e pastaj serbe. Sidoqoftë, kjo duhet t’i propozohet bashkëbiseduesve në Prishtinë dhe ndërmjetësve të Bashkimit Evropian”, shton burimi.

I ashtuquajturi ministër për Kosovë, Goran Bogdanoviq, nuk ka dashur të komentojë këto informata të ditores “Blic”.

“E kemi vizionin tonë, të gatshëm jemi të bëjmë ndryshime, të ofrojmë zgjidhje kompromisi në Bruksel, por që ajo të mos cenojë interesat e qytetarëve tonë dhe institucionet në krahinë. Sado që pala tjetër do të jetë kokëfortë dhe refuzuese, zgjidhja duhet të gjendet”, ka thënë ai.
Në pritje se si do të reagojnë ndaj propozimit të Beogradit Edita Tahiri dhe Robert Cuper, analistët në Prishtinë dhe në Beograd e cilësojnë si të dobishme këtë ide.

“Duhet të dilet me atë ide. Tingëllon neutrale, është në përputhje me platformën e bisedimeve, me deklaratën e Kuvendit të Serbisë dhe Rezolutën 1244. Dy vulat mund të jenë zgjidhje kalimtare deri te arritja e asaj përfundimtare. Me këtë qëndrim të palës serbe shtohen shanset që të arrihet te ndonjë kompromis, por kjo çështje nuk duhet të politizohet, sepse fjala është ekskluzivisht për çështje ekonomike”, ka thënë analisti Nenad Vasiq.

Analisti Nexhmedin Spahiu thotë për “Blic” se është e mirë çfarëdo zgjidhje që mundëson hapësirë më të madhe të këmbimit të mallrave dhe njerëzve dhe se fitues do të jetë pala që është e gatshme të lëshoj më së shumti pe.

“Vështirë se Prishtina do ta pranojë idenë e dy vulave, mirëpo mendoj se kjo zgjidhje nuk do të ishte e keqe sepse gjërat në veri do të nisnin të funksionojnë normalisht, sepse kjo e tashmja është e dëmshme për të gjithë”, ka thënë Spahiu.