Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 12:42

Prishtinë – Serbia nuk do të marrë dritën e gjelbër të BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim përderisa Beogradi zyrtar nuk bind partnerët evropianë se në Prishtinë ka pasur sukses në arritjen e marrëveshjes për Kosovën.

Aktualisht kjo do të thotë se Serbia deri në fund të vitit mund të presë vetëm statusin e kandidatit.

“Zgjerimi është një proces e dialogu proces tjetër, ndërsa detyrimi, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta përmbushin, është bashkëpunimi i mirë rajonal. Dialogu i Beogradit dhe i Prishtinës për të cilin janë pajtuar të dy palët është pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe po qe se negociatat ecin në drejtimin pozitiv, nuk duhet të ketë problem”, ka thënë për gazetën “Blic” të Beogradit, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, raporton Koha.

Për herë të parë këtë kusht e ka theksuar ish-kryetari i Qipros, Jorgos Vasiliu.

Deklarata e Vasiliut u bë pasi që shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq, tha se Beogradi zyrtar nuk ik nga mundësia e bisedimeve për ndarje, deklaratë kjo që shkaktoi reagim të ashpër të Prishtinës.