Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 14:30

Pas më shumë se gjashtë muajve ndërprerje në gërmimet në Serbi, javën e kaluar Komisioni qeveritar për persona të pagjetur kishte marrë ftesë nga pala serbe për të përcjellë vazhdimin e gërmimeve vlerësuese në lokacionin Kozarevë të Novi Pazarit në Serbi.

Edhe pse në njoftimin e palës serbe thuhej se gërmimet do të zhvilloheshin më 7 dhe 8 gusht megjithatë pas 5 orësh punime pala serbe ndërpreu gërmimet me arsyetimin se për më shumë nuk kanë fonde shtesë.

Duke vlerësuar se përpjekjet e deritashme të institucioneve vendore, por edhe të faktorit ndërkombëtar, kanë qenë të pamjaftueshme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë hedhin një serë akuzash në lidershipin kosovar dhe në faktorin ndërkombëtar.

Familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë ndihen të mllefosur me lojën që po bën Serbia me ndjenjat e tyre, por njëkohësisht ndihen të mllefosur edhe në lidershipin e Kosovës që asnjëherë nuk u paraqit i denjë për t’i thënë stop njëherë e përgjithmonë lojës së Serbisë me të pagjeturit, duke e kushtëzuar së paku fillimin apo vazhdimin e dialogut me Serbinë për çka ishte dhe po del se faktori ndërkombëtar e ka interesim primar.

Nysrete Kumnova, nga shoqata “Zëri i nënave”, ka thënë për KosovaLive se tashmë e sa vite Serbia po e përdorë të njëjtën lojë duke mos treguar për fatin e edhe rreth 1.600 personave të zhdukur gjatë luftës. Ajo ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar që Kosova ta kushtëzojë Serbinë me gjetjen e të dashurve të tyre, por ka shtuar se një gjë e tillë tashmë e sa vite nuk po ndodhë.

“Serbia nuk po lejon tash e sa vite hapjen e varrezave masive ku janë njerëzit tanë, më të dashurit tanë, të cilët vetë i kanë vrarë, i kanë degdisur në vende të ndryshme në Serbi për t’i fshehur gjurmët dhe tani po i fshehin varrezat edhe pse ka shumë vite që u dëshmua se Serbia pos plaçkës tjetër nga Kosova mori edhe kufomat.

Është e habitshme gjakftohtësia e lidershipit kosovar karshi këtij problemi edhe pas 16- 17 viteve. Edhe pak kaq vitesh ne ende nuk dimë për fatin e edhe 1.600 qytetarëve të zhdukur, në mesin e tyre edhe për djalin tim.

Ne çdo herë kemi kërkuar edhe nga institucionet vendore edhe ndërkombëtare që ta kushtëzojnë Serbinë të tregoi vendndodhjen e kosovarëve të zhdukur, pasi jo njëherë është vërtetuar se autoritetet serbe kanë informatë për secilin të vrarë në Kosovë, për varrosje e zhvarrosje dhe për bartje të kufomave në Serbi. Mirëpo, është e habitshme përse ky kushtëzim nuk po ndodhë. Pse po i bëhen gjithë këto lajka agresorit nga lidershipi kosovar dhe faktori ndërkombëtar, unë nuk e di. Por diçka që e di unë, është se nga këto lajka Kosovës po i vjen çdo e keqe.

“Ne edhe njëherë apelojmë tek bashkësia ndërkombëtare e cila është palë ndërmjetësuese me palën shqiptare dhe serbe në bisedime që ta kushtëzojë Serbinë, t’i hap dosjet dhe të tregojë për secilin të zhdukur veç e veç dhe për vendndodhjen tyre”, deklaroi Kumnova.

Ajo e konsideron shumë ironike madje edhe cinike kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare kur Kosovës i kërkon përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, duke e ulur përherë Kosovën në bankën e të akuzuarit e jo Serbinë e cila ishte agresore.

“Si mund të ketë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore kur ne ende nuk i dimë asgjë për fatin e trupave të më të dashurve tanë, nuk ua dimë varrin për t’ua dërguar një lule”, akuzon Kumnova për lojën e vazhdueshme të palës serbe me ndjenjat e familjarëve dhe për qëndrimin shumë indiferent të lidershipit kosovar dhe faktorit ndërkombëtar.

Edhe Bajram Qerkini, nga shoqata “Zëri i prindërve”, tha për KosovaLive se kjo nuk është hera e parë që Serbia luan me ndjenjat e familjarëve me arsyetimet më të ulëta, kinse nuk kanë fonde.

“Nuk është hera e parë që Serbia luan me ndjenjat e familjarëve të të pagjeturve. Autoritetet serbe edhe pse thonë që do të gërmohet dy ditë, pa përfunduar dita e parë i ndërprenë punimet me arsyetimin se ju duhen mjete shtesë për të vazhduar gërmimet. Para kësaj paturpësie të autoriteteve serbe, autoritete tona kosovare dhe ato ndërkombëtare bëjnë sehir.

A ka ndonjë vend në botë që një shteti i lejohet një lojë e këtillë e turpshme. Fajin kryesor e ka bashkësia ndërkombëtare që po toleron këtë lojë të turpshme të Serbisë”, nënvizon Qerkini, duke akuzuar bashkësinë ndërkombëtare që s’po i kryen punët e veta siç duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, ka thënë për KosovaLive se tashmë janë mësuar që pala serbe të gjejë arsyetime të tilla dhe të luajë role të ndryshme kur bëhet fjalë për fatin e të zhdukurve.

“Jemi mësuar që ky proces të zvarritet, siç jemi mësuar me shqetësimet që përherë na i shkakton veprimi obstruksionist i palës serbe. Ne me ftesë të tyre shkuam atje, pasi na njoftuan se gërmimet vlerësuese do të bëhen për dy ditë, ndërsa në ditën e parë punimet ndërpriten me arsyetimin se për më tutje s’kanë buxhet dhe as urdhëresë”, thotë Gjetaj, duke nënvizuar se kjo është praktikë e palës serbe sikur në Rudnicë të Rashkës ku disa herë janë ndërprerë punimet, kinse për mungesë urdhërese, mungesë buxheti, e kështu me radhë.

Gjetaj në një mënyrë e pranon se lidershipi kosovar nuk ka qenë shumë këmbëngulës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duke e kushtëzuar Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ai përmend rastin e Rudnicës në vitin 2013, kur pala kosovare i kishte ndërprerë takimet me palën serbe dhe kjo ndërprerje kushtëzuese kishte prodhuar efekte pozitive.

“Ne kemi thënë që është dashur të kushtëzohet gjithçka lidhur me ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Në rastin e Rudnicës në vitin 2013 ne i kemi ndërprerë takimet me grupin punues pikërisht duke i kushtëzuar se pa u bë një hap konkret s’kemi çfarë të bisedojmë dhe ka prodhuar efektet e veta pikërisht ai qëndrim yni duke i detyruar palën serbe të lëviz në këtë drejtim nga presioni ndërkombëtar. Forma të tilla sigurisht se prodhojnë efekt pasi që Serbia e kupton vetëm presionin ndërkombëtar”, ka thënë Gjetaj.