Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 18:51

Beograd (PLOTESUAR 16 prill, 10:00) Mark Koshnjeti, i arrestuar të shtunën në Merdare nga policia serbe, del sot para gjykatës për krime lufte në Gjykatën e Lartë në Beograd. Siç raportojnë mediat në Beograd, Prokuroria e Serbisë ka vendosur që të nisë hetimet kundër Koshnjetit. Familjarët kanë bërë të ditur se Koshnjeti po udhëtonte me autobus drejt Beograd, për të vizituar motrën e tij.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Qendra në Prizren, ka reaguar ndaj arrestimit, duke kërkuar nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë që të ushtrojnë ndikimin e tyre për lirimin e Koshnjetit.

KMDLNJ ka hedhur poshtë deklaratat e autoriteteve serbe se Koshnjeti “ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

****************************

Beograd (PLOTESUAR 15:05) Shqiptari i Kosovës i arrestuar dje po shkonte për vizitë tek motra e vet në Beograd, ka bërë të ditur familja dhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Prizren.

Mark Koshnjeti i arrestuar në vendkalimin kufitar në Merdar, në një autobus, sipas autoriteteve serbe të cituara nga media, ishte i kërkuar nën dyshimet për “krime lufte, si pjesëtar i UÇK-së”.

Por, sipas burimeve nga Prizreni, ai asnjëherë nuk ka qenë pjesëtar i UÇK dhe është arrestuar pa të asnjë të drejtë lidhur me këtë dyshim.

I arrestuari i djeshëm është i pesti qytetar i Kosovës i arrestuar nga autoritetet serbe brenda pak më shum se dy javësh, përshirë dy policët që u liruan pas 48 orësh. Bëhet e ditur se mbajtja 48 orëshe i është caktuar edhe të arrestuarit të djeshëm dhe nesër do dërgohet në gjykatë. (LajmeShqip.com)

****************************

Beograd- oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë arrestuar Mark Koshnjeti në Merdare, “bazuar në një arrest për krime lufte”.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se shqiptari kosovar “dyshohet për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë”, raportojnë mediat serbe.

“Ky arrestim nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike. Bëhet fjalë për krime lufte kundër popullsisë civile. Nëse ai është fajtor, do të tregojë proçesi i mëtejshëm”, transmetojnë mediat serbe deklaratën e Daçiqit.

Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekariq, ka thënë se Koshnjeti, “si pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime ndaj civilëve serbë në fshatin Kraimirovc, më 1998”. (LajmeShqip.com)