Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 13:15

Mitrovicë – Magjistralja Mitrovicë – Leposaviq vazhdon të jetë e bllokuar edhe të mërkurën nga serbët lokalë në Rudarë, ndërkohë që ata kanë paralajmëruar bllokimin edhe të rrugëve tjera në veriun e Kosovës.

Shkak i fillimit të protestave të serbëve dhe bllokimit të rrugës në Rudarë, ka qenë arrestimi nga policia e EULEX-it, i dy personave, Sllobodan Repiq dhe Zharko Veselinoviq.

Protestuesit kanë theksuar se nuk do ta ndërpresin protestën derisa të akuzuarve nuk ju mundësohet të mbrohen në liri.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës i kanë njoftuar se situata e sigurisë së përgjithshme që nga arrestimi i dy personave dhe bllokimi i rrugës në Rudarë nga serbët lokalë, nuk ka ndryshuar.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se prezenca fizike e serbëve lokalë në pikën ku është bllokuar rruga është duke vazhduar, por nuk ka pasur ndonjë incident tjetër.

“Magjistralja Mitrovicë – Zveçan është e bllokuar në të dyja drejtimet e qarkullimit, ndërsa nuk ka zhvillime tjera ose reagime të tjera sa i përket aspektit të sigurisë. Sot, gjatë ditës, pritet që të arrestuarit të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe do të shohim zhvillimet e mëtutjeshme”, ka thënë Hoti.

Të hënën në Rudarë, pjesëtarët e misionit EULEX dhe të Policisë së Kosovës e kanë arrestuar Sllobodan Repiqin, lidhur me plagosjen e një serbi që punonte në Zyrën e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë, në dhjetor të vitit 2012, si dhe Zharko Veselinoviqin, për shkak të armëmbajtjes pa leje.

Ndaj arrestimit të dy serbëve kanë reaguar edhe liderët e serbëve të veriut.

Ata pretendojnë se ekziston një listë me disa mijëra serbë, të cilët EULEX-i i ndjek për t’i arrestuar.

Njëri prej liderëve serb, Dreagisha Milloviq ka theksuar se arrestimet e serbeve janë shpeshtuar kohët e fundit dhe kjo po e nxitë reagimin e qytetarëve.

“Kjo e ka nxitur reagimin e qytetarëve dhe ata e kanë bllokuar magjistralen. Shtrohet pyetja se kush do të arrestohet ende? Le ta publikojnë listën për 3 mijë serbë”, ka thënë Milloviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e EULEX-it janë cituar nga mediet serbe të kenë thënë se
“fletë-arrestet sekrete nuk ekzistojnë dhe se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoti, ka theksuar se nuk ka parashenja se situata në veri të vendit, mund të përshkallëzohet në atë masë që do të mund ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme, pavarësisht sinjaleve të këqija që kanë dërguar dy sulmet mbi automjetet e EULEX-it në veri të Kosovës.

“Kjo mjafton të jetë si një shenjë, e cila mund të ndikojë kryesisht te sulmet individuale ose te veprimet tjera kriminale, të cilat mund të sjellin pasiguri ose jo stabilitet. Mirëpo, nuk ka indikacione ose nuk ka sinjale të përgjithshme se mund të ketë ndonjë përshkallëzim të përgjithshëm të situatës së sigurisë. Ne kemi grupe të njerëzve, përkrahës të këtyre individëve (të arrestuarve), të cilët kryesisht kërkojnë lirimin e tyre, por çështja e ligjit është ligj në vete dhe ajo duhet patjetër të zbatohet”.

Ndryshe, që nga dita e hënë kur është bllokuar rruga në Rudarë, qarkullimi i automjeteve të misionit EULEX është ndërprerë.