Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 12:37

Mitrovicë – Rreth 100 serbë kanë protestuar të martën rreth orës 08:30, para hyrjes në objektin e gjykatave, në veri të Mitrovicë, kundër kthimit të gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë.

Policia ka njoftuar se një tubim protestues është regjistruar rreth orës 08:30min, në rrugën “Mbreti Petër”, në afërsi të pompës së derivateve “Jugo-petrol”, përkatësisht para portës hyrëse të objektit të gjykatave, të qarkut dhe asaj komunale, në veri të Mitrovicës.

“Rreth 100 persona të tubuar të cilët konsideroheshin të jenë ish-punëtorë të këtyre gjykatave, kanë protestuar në mënyrë të qetë deri rreth orës 09:30min. Nuk është shënuar për incidente gjatë kësaj ngjarjeje, ndërsa protestuesit janë shpërndarë të qetë. Qarkullimi rrugor është zhvilluar pa pengesa dhe pa bllokime në rrugë. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës të stacionit veri, në Mitrovicë, e kanë monitoruar këtë protestë për së afërmi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjykata në veri të Mitrovicë është jashtë funksionit që nga shkurti i vitit 2008, kur serbë të armatosur e morën gjykatën me dhumë. Një muaj më vonë, në mars të atij viti, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i ktheu gjykatën nën kontroll dhe me këtë rast serbët patën vrarë me armë zjarri një pjestar të Policisë Speciale të UNMIK-ut, nga Ukraina. (LajmeShqip.com)