Lajme Shqip Wednesday, 12 March 2014 18:15

Qytetarët serbë me dyshtetësi do të kenë mundësinë që të votojnë nga Kosova edhe për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që mbahen më 16 mars.  

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, sipas zëvendës kryeministres Edita Tahiri, është që Serbia nuk mund t’i organizojë zgjedhjet parlamentare në territorin e Kosovës dhe se këtë punë teknike do ta kryejë misioni i OSBE-së. Po ashtu, ajo ka thënë se ditën e votimeve do të ketë pika të grumbullimit por jo edhe pika të votimit. Po ashtu, nuk do të ketë shtabe e struktura organizative të zgjedhjeve, përfshi edhe numërimin e votave. 

Ndërkohë, kryeministri në largim i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë do të mbahen edhe në Kosovë sikurse që ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ai ka kundërshtuar zëvendës kryeministren Edita Tahiri, duke thënë se Marrëveshja e Brukselit e arritur në dialogun Prishtinë – Beograd, nuk ua ka ndërprerë serbëve të drejtën të votojnë për shtetin e tyre.

Pavarësisht se a do të cilësohet si grumbullim i votave apo proces i votimit, për ministrin pa portofol për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, me rëndësi është që zgjedhjet të mbahen më 16 mars edhe në Kosovë.

Në anën tjetër, zëvendës kryeministrja Edita Tahiri thotë se Marrëveshja e Brukselit parasheh normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ndaj, sipas saj, kjo marrëveshje synon që të ndërpresë ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe jo përsëritjen e këtyre ndërhyrjeve siç po mëton shteti serb.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë si tani, ashtu edhe në të kaluarën ka ngjallur reagimet e ekspertëve të proceseve zgjedhore dhe atyre të çështjeve kushtetuese-juridike. Ata kanë vlerësuar në disa raste se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, qoftë përmes organizimit të vendvotimeve, qoftë përmes pikave grumbulluese shkel ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës.