Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 14:31

Mitrovicë-Pas disa muaj ‘ndalimi’, EULEX-it sërish i është mundësuar liria e lëvizjes në veri të Kosovës, në bazë të një marrëveshje, e cila është arritur më 24 janar, shkruajnë sot mediat serbe në Beograd.

Kjo “marrëveshje” është mundësuar në takimin e liderëve serbë të veriut të Kosovës dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, ku, siç shkruhet, palët janë marrë vesh që misioni i BE-së mund të lëvizë nëpër rrugë tokësore, deri të pikëkalimet kufitare në Bërnjak, të komunës së Zubin Potokut dhe Jarinjë, të komunës së Leposaviqit, me kusht që të mos bartin në automjetet e tyre doganierët shqiptarë.

Në takimin, në të cilin ka marrë pjesë Radenko Nedelkoviç, i ashtuquajturi kryeshef i rrethit të Mitrovicës, por jo edhe përfaqësuesit e komunave të veriut për shkak të kushteve të rënda meteorologjike, është vendosur që EULEX sërish mund të lëvizë nëpër rrugët e komunës së Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

“Kemi marrë premtime se nuk do të bartin doganierë shqiptarë në Brnjak dhe Jarinjë dhe ne u besojë fjalëve të oficerëve”, ka thënë Dragisha Milloviq, kryetar ilegal i komunës së Zveçanit duke përkujtuar se në një takim të radhës do të verifikohet nëse EULEX është duke respektuar apo shkelur marrëveshjen.

Milloviç ka thënë se barrikadat do të mbeten deri atëherë kur do të dihet saktësisht se çfarë do të ndodh me Bërnjakun dhe Jarinjën dhe përderisa doganierët shqiptarë nuk tërhiqen nga aty.

Që EULEX-it i është mundësuar lëvizje kah Jarinja, ka konfirmuar edhe Branko Niniç, edhe ky kryetar ilegal i Leposaviqit, duke shtuar se kanë marrë garanci nga komandanti i forcave amerikane, të stacionuara në bazën afër Jarinjës, se atë nuk do t’i bartin doganierët shqiptarë.

“Nuk isha në takim kur është arritur marrëveshja, por jam informuar se në konvoj të automjeteve të KFOR-it lejohet EULEX”, ka thënë Niniç duke potencuar se në bisedën e tij më komandantin amerikanë ka marrë premtime se EULEX në veri të Kosovës do të lëvizë vetëm për nevoja të veta.

Për sa i përket komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantiç, që thirret si kryetar i kësaj komune, ka thënë se automjetet e EULEX-it nuk lëvizin nëpër këtë komunë dhe se me zyrtarët e këtij misioni është ndërprerë çdo bashkëpunim që nga 9 dhjetori, vetëm disa ditë pasi është vrarë Savo Mojsiç.

Që misioni i EULEX-it, pas disa muajsh bllokade, sërish ka filluar të lëvizë në territorin e veriut të Kosovës ka konfirmuar edhe Irina Gudeleviç, zëdhënëse e misionit të BE-së në Prishtinë. Ajo ka thënë se liria e plotë e lëvizjes për EULEX-in ende nuk është arritur por që prania kah veriu është relaksuar.