Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 17:35

Prishtinë – Serbë të Prilluzhës, fshat enklavë rreth 15 kilometra në veriperëndim të Prishtinës, kanë protestuar sot kundër ndërtimit të një ure mbi lumin Sitnicë, e cila i lidh me fshatrat shqiptare të rrëzës së malit Qyqavica.

Ura është shkatërruar që nga koha e luftës dhe është mbajtur e pakalueshme që andej të mos kalonin shqiptarët. Përfaqësuesit e strukturave paralele edhe përmes medias lokale serbe u kanë bërë thirrje banorëve të fshatit Prilluzhë, i cili është pjesë e komunës së Vushtrrisë,  për pjesëmarrje në numër më të madh në protestat e ardhshme “për të shprehur pakënaqësinë ndaj ndërtimit të urës” së financuar nga “institucionet e përkohshme kosovare”, e cila, sipas tyre u “cënon sigurinë”.

Në anën tjetër të lumit, në një ceremoni rasti, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka vënë gurthemelin e urës, duke theksuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për të gjitha komunitet. “Është ura kjo që lidh të gjithë qytetarët, përfitime do të kenë të gjithë. Ne jemi të sigurt se do të vazhdojmë me projekte të tjera në Prilluzhë që i kemi filluar më herët”, ka thënë ai. Ai tha se në Prilluzhë janë asfaltuar deri më tani rreth 700 metra rruge, ka filluar faza e parë e investimit në kanalizim si dhe janë ndarë edhe 147 mijë euro për vazhdimin e fazës së dytë të këtij projekti të kanalizimit.

Ndërtimi i urës do të kushtojë 384 mijë euro dhe mjetet janë siguruar nga Ministria e Financave e Qeverisë së Kosovës.