Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 14:35

Zveçan -Rreth 400 serbë, që ishin tubuar në Rudar të Zveçanit, pasi automjetet e KFOR-it janë nisur në drejtim të barrikadës së betonuar në këtë zonë, janë shpërndarë pas një bisede që kishte zhvilluar komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s, Joseph Lynch, me kryetarin ilegal të Zveçanit, Dragisha Milloviç.

Komandanti i KFOR-it ka kërkuar Milloviç heqjen e barrikadës, por ai i ishte përgjigjur se pengesa rrugore nuk mund të hiqet nëse për një gjë të tillë nuk vendosin përfaqësuesit e serbëve, që e kanë vendosur.

Milloviç, sipas medieve serbe, ka propozuar që qytetarët të zhbllokojnë automjetet e KFOR-it dhe ushtarët të kthehen në drejtim të Leposaviçit. KFOR-i mësohet të ketë pranuar këtë dhe qytetarët janë shpërndarë.

Situata në këtë pjesë të Kosovës aktualisht thuhet të jetë e qetë. Barrikadat në veri janë vendosur në fund të korrikut të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve 1 dhe 31, në kufi me Serbinë. (LajmeShqip.com)