Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 10:46

Përfaqësuesit e të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës, kanë zhvilluar një takim ku kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, nga zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiç, si dhe shefi i ekipit negociator serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borislav Stefanoviç ndërprerjen e bisedimeve me Kosovën. 

“Të ndërpresin arritjen e marrëveshjeve me palën shqiptare, në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare serbe”,- ky ka qenë vendimi që kanë marrë serbët e veriut, raporton Radio Europa e Lirë.

Drejtuesi i të ashtuquajturit Kuvend i Bashkësisë së komunave serbe të Kosovës, Radovan Niciç, ka thënë se përfaqësuesit e serbëve janë pajtuar që “të gjitha marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar Borko Stefanoviç, të mos zbatohen në hapësirën e Kosovës, kudo që është e mundur”.

Përfaqësuesit e serbëve, kanë autorizuar ekipin e përbërë prej rreth 30 avokatësh që ndaj Stefanoviçit të hapen procedurat penale, për shkak të marrëveshjeve “që rrënojnë kushtetutën e Serbisë”.