Lajme Shqip Saturday, 10 November 2012 13:41

Mitrovicë – Serbët e Kosovës kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, sipas së cilës që nga 10 dhjetori të nisë zbatimi i menaxhimit të integruar të kufijve, IBM, në dy nga gjashtë vendkalimet kufitare. Kjo marrëveshje, sipas serbëve, është arritur në takimin e fundit në mes të përfaqësuesve së lartë të BE-së, baroneshës Ashton, kryeministrit serb Ivica Daçiq dhe atij kosovar, Hashim Thaçi.

Ndihmësi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Mirko Kërliq, u ka thënë serbëve të veriut se bisedimet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës janë të paevitueshme dhe se pret që pala serbe në këtë proces do të dijë cilat janë “linjat e kuqe” dhe se do t’u përmbahen atyre.

“Qeveria e Serbisë është e vendosur të arrijë maksimumin në këtë moment dhe ta mbrojë Kosovën e vet. Sa nga kjo do të jetë e realizueshme, ju e dini që nuk është në duar tona, por kjo nuk do të thotë se ne heqim dorë nga qëllimet tona”, u tha Kërliq gazetarëve në Mitrovicë.

Në anën tjetër, serbët e veriut të Kosovës hapur kanë dalë kundër zbatimit të marrëveshjes për IBM-në. Në këtë mënyrë, sekretari në ish-Ministrinë për Kosovën në qeverinë e kaluar serbe, Oliver Ivanoviqi mendon se për menaxhim të integruar të kufijve nuk duhej biseduar fare, deri sa të përfundojnë bisedimet për veriun e Kosovës.

Ai tha se dialogu për veriun e Kosovës do të jetë krejtësisht i pavlefshëm, nëse veç nga dhjetori nis zbatimi i marrëveshjes IBM në vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak. Ivanoviq ka vlerësuar se tani është rasti që problemi i veriut të Kosovës të vihet në rend të ditës dhe të zgjidhet në mënyrë të drejtë, në kohë të gjatë.

“Por me zbatimin e marrëveshjes për IBM në veri të Kosovës, pozicioni ynë do të jetë shumë i keq”, ka vlerësuar Ivanoviq.

Ndërkaq, i ashtuquajtur kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, shpreson se nuk do të vijë fare deri te zbatimi i marrëveshjes për IBM-në. Sipas tij, zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të thoshte në mënyrë indirekte njohje e pavarësisë së Kosovës, duke konstatuar se në atë rast etniteti serb në Kosovë nuk mund të qëndrojë në Kosovën e pavarur.

“Unë pres që qytetarët të sillen me seriozitet dhe të mos bien pre e provokimeve dhe që me një rezistencë pasive, të vendosur dhe të bashkuar të arrihet qëllimi, mbetja në këto hapësira në përbërje të Republikës së Serbisë”, tha Nedelkoviq. Ai ka vlerësuar se bisedimet dhe marrëveshjet, krejt çfarë ka ndodhur, kanë sjellë kunfuzion, frikë dhe pasiguri te qytetarët.

“Beogradi zyrtar duhet të kuptojë se qytetarët duan të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tani”, theksoi ai. Ai ka ripërsëritur se EULEX-i, i cili ndodhet në vendkalimet “administrative” në veri të Kosovës ka dalë në anën e Prishtinës për t’i zbatuar vendimet e njëanshme të institucioneve kosovar dhe të veprojë sipas listave sekrete, “të cilat i ka hartuar Shërbimi Informativ i Kosovës”.

“Përherë kemi thënë se marrëveshjet e arritura janë për ne të papranueshme, se janë të dëmshme për serbët dhe joshqiptarët në Kosovë. Në shumë raste, gjithashtu kemi thënë se nuk duam të marrim pjesë në implementimin e këtyre marrëveshjeve”, ka shpjeguar i ashtuquajtur kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.

Ndryshe, sipas medieve lokale serbe, kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar pas takimit me baroneshën Ashtron dhe Thaçin se janë marrë vesh që nga 10 dhjetori të fillojë të zbatohet marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve në dy nga gjashtë vendkalimet kufitare, në Bërnjak dhe Jarinje.(LajmeShqip.com)