Lajme Shqip Thursday, 22 November 2012 15:35

Prishtinë – Derisa Beogradi dhe Prishtina janë duke bërë përgatitje të përshpejtuara për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve në tri vendkalime kufitare, Jarinje, Merdar dhe në Konçul, serbët e veriut të Kosovës janë shprehur të vendosur se do ta pengojnë zbatimin e marrëveshjes.

Për liderët serbë të veriut, zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për IBM-në, të cilën e kanë arritur kryeministrat Thaçi e Daçiq me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, nuk do të lejohet dhe do të pengohet me të gjitha mjetet.

Madje, ata nuk kanë përjashtuar as mundësinë e bllokimit të vendkalimeve kufitare dhe të barrikadimit të rrugëve, para 10 dhjetorit, kur pritet të fillojë zbatimi i marrëveshjes.

Kryetarë të katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë mbajtur një takim urgjent dhe janë pajtuar me një zë, që mos ta lejojnë zbatimin e marrëveshjes.

Atyre u është bashkangjitur edhe kryetari i të ashtuquajtur qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, i cili ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që të ketë kujdes me serbët e veriut të Kosovës.

“E kam përsëritur shumë herë dhe tani them, se Beogradi duhet ta dijë deri ku mund të shkojë me këto marrëveshje. Gjithashtu, qeveria serbe duhet t’i dijë vijat e kuqe, të cilat nuk mund t’i kalojë. Në plan është menaxhimi administrativ i kufirit, jo i vendkalimeve. Serbët e Kosovës nuk do të ndihmojnë krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, e pastaj edhe të Shqipërisë së madhe. Populli nuk ta pranoi dhe të lejojë zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese dhe jam i sigurt se populli do t’i kundërshtojë marrëveshjet”, ka thënë Nedelkoviq.(LajmeShqip.com)