Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 13:53

Mitrovicë (PLOTESUAR 18:15) – KFOR-i ka penguar tre kamionë me karburante nga Serbia që ilegalisht nëpër rrugët rurale në Kosovë, konkretisht në kalimin e palejuar kufitar DOG 33. Kamionët, pas një priteje të gjatë, janë kthyer në Serbi, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

”Ushtarët e NATO-së të vendosur në veniun e Kosovës kanë ndaluar autobote të mbushura me karburante në vijën kufitare, duke ekzekutuar urdhëresën e UNMIK-ut, sipas së cilës DOG 33 është kalim i palejueshëm. Sipas urdhëresës, qasja në trafikun komercial në Kosovë, përmes DOG 33 është joligjore dhe duhet të ndalet”, thuhet në urdhëresen e lëshuar nga UNMIK-u.

Kamionët më vonë kanë tentuar të kalojnë me dhunë, por pjesëtarët e KFOR-it kanë qenë të vendosur dhe nuk e kanë lejuar hyrjen e tyre në Kosovë.

Pas kësaj serbët e veriut kanë bllokuar rrugën në Banjskë dhe kanë penguar eskortat e KFOR-it për të ardhur deri te vija administrative.

Ndërsa, KFOR-i si kundër masë ka mbyllur rrugën midis atyre bllokadave në Banjskë dhe lidhjet me rrugën kryesore Mitrovicë–Zveçan–Leposaviq, në lindje nga Banjska. (LajmeShqip.com)

***************************

Mitrovicë (PLOTESUAR 15:31) – Ka përfunduar takimi i katër të të ashtuquajturve kryetarë të komunave serbe të veriut të Kosovës, në Zveqan.

Në përfundim të takimit ata e kanë akuzuar Beogradin për “tradhti kombëtare” ndaj serbëve të Kosovës dhe kanë kërkuar ndërrimin e menjëhershëm të Borko Stefanoviqit nga pozita e kryesuesit të delegacionit serb për negociata me Prishtinën.

Gjithashtu, ata kanë kërcënuar që nëse KFOR-i nuk i largon pikëkontrollet, ata do t’i vendosin menjëherë barrikadat dhe do t’i bllokojnë rrugët në veri.

**************************

(PLOTESUAR 13:38) – Ndërkohë, për shkak të bllokimit të rrugëve alternative nga ana e Serbisë, strukturat politike dhe të sigurisë të serbëve në veri, e kanë thirrur një takim të jashtëzakonshëm, për pasdite, në Zveqan, ku do ta gjykojnë për tradhti Beogradin, bëjnë të ditur burime të portalit LajmeShqip.com.

******************************

Mitrovicë – Situata e sigurisë në Mitrovicë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e qetë, përkundër disa incidenteve që kanë ndodhur në veri. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për vlerësimin e situatës, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se në përgjithësi situata ka qenë e qetë, ndërsa disa incidente që kanë ndodhur në veri nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme. Ai tha se strukturat e sigurisë e kanë kryer mirë punën e tyre.

Në anën tjetër, ai përmendi konkretisht disa protesta të qytetarëve serbë në veri, të cilat bëhen me qëllim të tensionimit të situatës. Në këtë kuadër ceku protestat e punëtorëve serbë të gjykatave, të cilët pa ndonjë shkak kanë protestuar dy ditë rresht kundër kthimit të gjykatësve shqiptarë atje, edhe pse ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për kthimin e tyre. Këtë ai e vlerësoi si një skenar të strukturave paralele, me qëllim të krijimit të një pasigurie për kthimin e tyre.

“Edhe pse ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për kthimin e punëtorëve shqiptarë në gjykatat në veri, punëtorët serbë organizojnë protesta kundër kthimit të tyre. Kjo është indikative”. Drejtori Bala tha se problem në veri mbetet bllokimi i shpeshtë i rrugëve nga serbët. Ai tha se kjo është duke e vështirësuar normalizimin e jetës atje. “Është shndërruar në dukuri bllokimi i rrugëve pas çdo lëvizje në veri dhe kjo është duke krijuar probleme për qytetarët e rëndomtë”. Në këtë kontekst përmendi banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit, të cilët prej korrikut kanë mbetur të bllokuar.

Bala tha se ata kanë probleme të mëdha, meqë ka njerëz me sëmundje kronike, mandej nxënës që ndjekin mësimet në Mitrovicë etj. Ai ka përshëndetur operacionin e strukturave të sigurisë në veri për arrestimin e të dyshuarve për krime, konkretisht për vrasjen e policit Enver Zymberaj.

“Arrestimi i kriminelëve është mënyra e vetme për vendosjen e rendi dhe ligjit në atë pjesë të vendit”. Ndërsa, komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli, tha se në jug të qytetit gjendja ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë problem serioz. Theksoi se janë të fokusuar në ofrimin e sigurisë në zonat me popullatë të përzier si në veri ashtu edhe në jug të qytetit.

Sic njoftojne burimet e Portalit nga veriu, MUP-i i Serbisë i ka mbyllur të gjitha vendkalimet alternative kufitare nga Serbia në Kosovë. Ndërkohë një burim tjeter i portalit bën të ditur se në ora 05:00 të mëngjesit, xhandarmëria serbe ka dalë dhe nuk lejon kalimin.

“Kjo është bërë me presionin e SHBA dhe të EU, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për Doganën midis Kosovës dhe Serbisë”, thotë burimi. (LajmeShqip.com)