Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 20:37

Grupe kriminale serbe të kanë bllokuar tri makina të EULEX-it të cilat ishin drejtuar në pikën kufitare G31 në Bërrnjakë të Zubin Potokut, të pashoqëruara nga KFOR-i.

Serbët, pasi  kanë vrejtuar se makinat e EULEX-it ishin duke qarkulluar vetëm në veri, kanë bllokuar ato udhkryqin në fshatin Zupc.

Në anën tjetër, pas bllokimi të EULEX-it, KFOR-i ka bllokuar të gjitha rrugët që shpien për në Zubin Potok si dhe rrugën tjetrë që nga Zubin Potoku të çon për në Zvecan dhe Mitrovicët.

Ndërkohë, dy automjete private, njëra tip “ Fiat Bravo”, ngjyrë e bardhë, pa targa të  regjistrimit, dhe tjetra tip “Fiat Punto” ngjyrë e gjelbër, me targa “BG”, besohet se janë djegur tërësisht si rezultat i zjarrvënies së qëllimshme me një substancë ndezëse.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 01:00, pas mesnatës së ditës së djeshme, në fshatin Uglare të Zubin Potokut.

Njësitë policore, të cilat kanë reaguar në vend ngjarje, kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjeteve me ndihmë të substancës ndezëse, që besohet të jetë benzinë.

Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar në të dyja automjetet, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.

Zyrtarët policor kanë kontaktuar pronarin e të dyja automjeteve, një 32 vjeçar, të përkatësisë etnike serbe, i cili është intervistuar nga policia.

Motivet e këtij akti kriminal mbeten ende të panjohura për hetuesit policorë.