Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 15:11

Shkup – Serbë radikalë të Maqedonisë dyshohet se kanë marrë pjesë në trazirat e shkaktuara në veri të Kosovës. Burime për Lajmeshqip.com bëjnë të ditur se në barrikadat e vendosura në Mitrovicë ka edhe shtetas të Maqedonisë të nacionalitetit serb, nga Shkupi e Kumanova.

“Disa  banorë të fshatrave të Kumanovës  ka ditë që nuk gjenden në shtëpi. Në fshat flitet se ata kanë shkuar në Mitrovicë”, ka thënë i njëjti burim. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë përjashtojnë përfshirjen e shtetasve të Maqedonisë në trazirat e shkaktuara në veri të Kosovës. Ndërsa edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës nuk ka njohuri për pjesëmarrjen e shtetasve të Maqedonisë në Mitrovicë.

“Nuk kemi njohuri të tilla”, kanë thënë në MPJ-në e Kosovës. Në të gjitha rrugët kryesore në veri të cilat çojnë në drejtim të pikave kufitare me Serbinë, një numër i madh serbësh ka 11 netë që bëjnë roje pranë barrikadave, duke pamundësuar në këtë mënyrë ushtarët e KFOR-it të lëvizin lirshëm në këtë pjesë të Kosovës.

Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste ndaj aksionit të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31. Pranë barrikadave kanë qëndruar edhe krerët nga strukturat paralele të komunave veriore. Një ditë më parë paqeruajtësit kanë hequr të paktën tri bllokada që kanë ndaluar KFOR-in të ketë qasje në bazat në veri. (LajmeShqip.com)