Lajme Shqip Sunday, 08 April 2012 10:04

Tiranë-Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, që festohet më 8 prill, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore F. Sequi, përgëzon komunitetin e Romëve dhe nënvizon nevojën për përpjekje më të fuqishme për përfshirjen e komunitetit Rom në Shqipëri.

Ambasadori thekson se “përfshirja sociale e Romëve është një çështje evropiane. Romët janë një prani e lashtë në Evropë dhe si të tillë ata duhet të gëzojnë të drejtat e plota të qytetarisë nëpërmjet një politike të vërtetë përfshirje. Bashkimi Evropian është i angazhuar veçanërisht për këtë qëllim. Si një Bashkim i themeluar mbi vlera të forta, ne duhet të sigurojmë që të drejtat themelore të Romëve të respektohen”.  Sipas tij, përfshirja sociale e Romëve duhet të jetë gjithashtu një çështje shqiptare, sepse Romët janë një prani e lashtë gjithashtu në Shqipëri dhe po ashtu një realitet i ditëve tona.

“Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të Romëve është një ndër 12 prioritetet kyçe të Opinionit mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe si e tillë një prej kushteve për ecjen përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Që të përmbushet ky prioritet është i nevojshëm angazhimi dhe përpjekjet e përbashkëta të autoriteteve kombëtare dhe vendore, shoqërisë civile, medias dhe sigurisht ndërgjegjësimi i të gjithë publikut shqiptar”, nënvizon Sequi.

Ai rikujton se “një seminar për përfshirjen e komuniteteve Rome dhe Egjiptiane u organizua më 15 dhjetor 2011 nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Seminari njohu rëndësinë e zgjidhjes së disa çështjeve që kanë të bëjnë me këto komunitete si regjistrimi civil, arsimimi, kujdesi shëndetësor dhe sigurimet shoqërore, arsimimi profesional dhe punësimi, strehimi dhe infrastruktura”.

Më tej, Ambasadori i BE-së nëvizon se “ne të gjithë kemi një përgjegjësi të përbashkët t’i japim fund përjashtimit të Romëve nga shkollat, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe strehimi. Unë jam i ndërgjegjshëm që kjo është një sfidë e madhe. Por kjo është arësyeja pse ne i kemi vendosur vetes objektiva për integrimin e Romëve dhe për t’i vënë ato në jetë kemi nevojë për angazhim të qartë të të gjithëve. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë autoritetet shqiptare në mënyrë që të përmirësojnë gjendjen e Romëve në vend. Për këtë qëllim Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 1.5 milionë  Euro nga programi IPA 2012 për përfshirjen sociale të komuniteteve Romë dhe Egjiptianë”.

“Grupet e margjinalizuara në shoqëri janë tipikisht ato që preken më shumë në kohë krizash dhe ne duhet të jemi të kujdeshëm t’i kemi këto grupe në vëmendjen tonë. Do doja të siguroja komunitetin Rom në Shqipëri që ata do të gëzojnë gjithmonë mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe vemendjen time këmbëngulëse si Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri”.

“Dita Ndërkombëtare e Romëve u shpall e tillë më 1990 në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për diskriminimin dhe margjinalizimin e komunitetit Rom dhe të promovojë kulturën Rome”, përfundon mesazhi i Ambasadorit të BE-së në Shqipëri. (LajmeShqip.com)