Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 18:43

Tiranë – Kreu i Delegacionit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, theksoi sot gjatë prezantimit të prioriteteve të Presidencës polake në BE për 6 muajt e ardhshëm, se 12 prioritetet që Komisioni Europian i ka vënë Shqipërisë duhen plotësuar, dhe se progres raporti i KE-së për Shqipërinë është ende duke u përgatitur.

“Vjet, komisioni ka nxjerrë raportin analitik dhe 12 prioritet kyçe. Komisioni Europian po përgatit progres raportin dhe në 12 tetor do t’i dorëzohet Ministrave të Jashtëm të BE-së. Pra progres raporti është ende duke u përgatitur. E rëndësishme është që ky proces të shihet si një prioritet kombëtar”, tha Sequi.

“Progres raporti është një vlerësim serioz. Dëshiroj të shtoj se në historinë e BE-së, këto vlerësime janë marrë parasysh, përveç një rasti”, tha Sequi, i cili edhe një herë përsëriti se “rruga e Shqipërisë drejt BE-së duhet të jetë prioritet kombëtar”.

Përsa i përket situatës politike në vend Sequi ripërsëriti pikat e deklaratës së përbashkët të përfaqësueses së Lartë të BE, Catherine Ashton dhe Komisonerit të Zgjerimit, Stefan Fyle, ku theksohet se “ka ardhur koha që forcat politike në Shqipëri ta kalojnë ngërçin politik dhe t’i kthehen dialogut politik”.

“Isha në Bruksel gjatë takimit të Stabilizim Asocimit dhe dua të them se delegacioni i BE-së përbëhej nga 3 personalitete si Fyle, Lajçak dhe ministri i Jashtëm polak, të tre shtete që janë bërë së fundmi anëtare të BE dhe të tre këmbëngulnin në faktin që procesi i zgjerimit është një proces që duhet t’i përfshijë të gjitha vendet, jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë ata që duan të anëtarësohen”, tha Sequi.

Sipas tij, “ajo që doli qartë nga takimi i Këshillit të Stabilizim Asocimit ishte dhe nevoja për të rifilluar procesin që ne e quajmë “proces seminari”, i cili do të ndjekë një iniciativë, e cila filloi në fund të marsit të këtij viti. Ishte ajo iniciativë, kur në një tavolinë të rrumbullakët, u ulën të dyja palët për të diskutuar mbi 12 prioritetet kyçe të Komisionit Europian”.

Ai bëri të ditur se në një takim të Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, ku ishte edhe vetë i pranishëm, nga diskutimet doli qartë se palët ishin të ndërgjegjshme se ishte e rëndësishme që të ketë progres në këtë aspekt.

Referuar letrës që kreu i PS-së, Edi Rama, i ka nisur përfaqësuesve të BE, Catherine Ashton dhe Stefan Fyle, Sequi theksoi se “ajo që dua të shoh është që procesi i integrimit dhe zbatimi i 12 prioriteteve kyçe të vijojë në mënyrë të efektshme dhe të shpejtë. Për çdo gë tjetër, thjesht mund t’i referohem deklaratës së ministrave të jashtëm të BE dhe deklaratës së përfaqësueses së Lartë, Caterine Ashton dhe Komisionerit Stefan Fyle, para dy ditësh”.

“Shoh dhe kam parë polarizim dhe mosbesim. Ajo që dua të shoh është që besimi të shkojë në rritje dhe polarizimi drejt uljes dhe kjo pasi besoj se integrimi është një objektiv kombëtar për Shqipërinë. BE ka treguar qartë se është i gatshëm të ndihmojë në këtë proces dhe kemi besim se të gjitha palët do të luajnë rol në këtë proces”, përfundoi kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi.