Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 15:46

Shkodër – Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, apeloi të mërkurën që të rifillojë dialogu politik në Shqipëri.

I gjendur në Shkodër, në një aktivitet të organizuar nga Qendra e Informimit të Bashkimit Europian në këtë qytet, Ambasadori Sequi, ndër të tjera ka folur edhe për situatën politike në vend. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, Sequi tha se “raporti tashmë është publikuar dhe Komisioni Europian do të marrë në konsideratë në mënyrë të qartë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, përsa i përket hartimit të raportit të progresit që do t’i dorëzohet Ministrisë së Jashtme më 12 tetor”.

“Mendoj se duhet të presim për raportin e progresit, në mënyrë që të japim një vlerësim koherent. Në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt Europës, duhen pasur parasysh disa gjëra, ku në radhë të parë duhet konsideruar çështja e integrimit europian, si një çështje interesi dhe prioriteti kombëtar”, tha ambasadori Sequi.

“Ajo çfarë kërkohet duhet një angazhim i plotë dhe i fortë nga aktorët e politikes shqiptare, pra duhen zbatuar të gjitha prioritetet që Komisioni Europian ka përcaktuar për Shqipërinë, në mënyrë që të eci përpara”, shtoi ai.

Sipas tij, “për të bërë këtë gjë, që e kemi thënë edhe herë të tjera dhe do të doja ta përsërisja përsëri, është e domosdoshme që të rifillohet dialogu politik në Shqipëri”.

Në lidhje me vlerësimet e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, ai tha se janë të rëndësishme dhe duhen zbatuar. “Ka një marrëveshje që rekomandimet e OSBE-ODIHR duhen zbatuar dhe mendoj që është e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet”, tha ai.