Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 08:00

TIRANË– Kreu i prezencës së Bashkimit Europian Ettore Sequi ka menduar t’i përgjigjet sot zërave skeptikë që kritikojnë Bashkimin Europian për tejkalim kompetencash në cështjet e brendshme të Shqipërisë.

I pranishëm në një aktivitet të organizuar në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit, Sequi u shpreh se Shqipëria nuk do të ishte më e mirë pa mbështetjen e BE, e cila sipas tij, ka kontribuar jo me fjalë po me vepra konkrete pa asnjë axhendë të fshehtë.

“Theksojmë se në kornizën e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim, përpjekje dhe investime të rëndësishme nevojitet që të bëhet në përputhje me kriteret europiane, duke përfshirë edhe zbatimin e ligjit. Mesazhi ynë politik është i qartë, Shqipëria duhet të ndjekë shembullin europian për mjedisin, sepse është thelbësore që të përmirësohen standartet e jetesës së njerëzve, duke përfshirë edhe stimulin e ekonomisë. Për ata persona jo të shumtë që kritikojnë Europën dhe Bashkimin Europian, unë ju them se jemi të kënaqur për atë që bëjmë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm me fjalë por edhe me fakte, pa asnjë axhendë të fshehtë. Shqipëria pa Europën sot nuk do të ishte një vend më i mirë”, tha ai.

Duke dalë jashtë fjalimit të parapërgatitur dhe që kishte në fokus mbështetjen që Bashkimi Europian ofron në mbrojtje të mjedisit në Shqipëri, Sequi tha se BE dëshiron që Shqipëria të jetë një vend më i mirë për shqiptartët, duke u angzhuar në mënyrë konkrete, që kjo të realizohet.(B.W/LajmeShqip.com)