Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 11:00

Tiranë – Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, theksoi sot gjatë takimit të 4-t të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, mes delegacionit të deputetëve të Parlamentit Evropian dhe deputetëve shqiptarë, se “situata politike në Shqipëri tashmë është drejt një normalizimi, gjë që do të thotë që është më afër integrimit në BE”.

“Tashmë Shqipëria ndodhet në momentin kyç në rrugën për anëtarësimin sa më shpejt në BE”, tha Sequi, duke shtuar se “BE mirëpret dhe vlerëson atë çka kanë bërë partitë shqiptare përsa i takon dialogut politik dhe inkurajon autoritetet shqiptare mbi dialogun për përmbushjen e12 prioriteteve”.

Sipas Kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë, “nëse Shqipëria plotëson 12 rekomandimet do të jetë më afër BE-së. Viti 2012 është i rëndësishëm dhe ju inkurajoj të përpiqeni më shumë për reformat”.

Lidhur me reformën për kodin elektoral Sequi theksoi se “palët kanë treguar afrim dhe bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe kam besim se grupi i punës për këtë reformë do të arrijë në një marrëveshje”.

“Ashtu siç ka thënë KE dhe OSBE/ODIHR, Shqipëria duhet të përpiqet për këto reforma. Takimi i parë i grupit të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore ishte vërtet inkurajues”, tha Sequi, duke inkurajuar anëtarët e komisionit për të vijuar punën për reformat. “Shpresoj që Shqipëria do të ecë në rrugën e duhur drejt BE-së”, theksoi Sequi.

Duke folur për prioritetet e KE-së, Sequi nëvizoi faktin se ka ende punë për t’u bërë për disa prej tyre. “Reformat dhe përmbushja e prioriteteve do të garantojnë që secili është i barabartë para ligjit”, u shpreh Sequi.