Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 11:19

Tiranë -Institucioni i Avokatit të Popullit firmosi sot një marrëveshje bashkëpunimi me organizatat e Shoqërisë Civile për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si kriter themelor për integrimin e vendit në BE. “Asnjë ndryshim thelbësor nuk mund të bëjmë në jetët e njerëzve, nëse nuk bashkëpunojmë. Sfida jonë në fushën e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri është e shumëfishtë”, u shpreh Avokati i Popullit, Igli Totozani, në ceremoninë e organizuar në Hotel “Tirana International”.

Ndërsa kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi, u shpreh se BE e mbështet institucionin e Avokatit të Popullit dhe shoqërinë civile në Shqipëri. “Përmbushja e kritereve politike që Kopenhageni ka përcaktuar për Shqipërinë është një detyrë për Shqipërinë. Kriteri 11 dhe 12 kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e keqtrajtmit. Prandaj mendojmë se një përfshirje e zyrës së Avokatit të Popullit dhe shoqërisë civile do të japë një ndihmë në parandalimin e rasteve të diskriminimit të të drejtave të njeriut”, tha ambasadori Sequi.

“Ne besojmë se shoqëria civile ka nevojë për t’u mbrojtur dhe promovuar dhe e bëjmë këtë në mënyrë konkrete. Besojmë se roli i fortë i shoqërisë civile dhe zyrës së AP është parakusht i procesit të integrimit sepse mbrojtja e të drejtave të njeriut janë thelbësore për vlerat europiane”, tha Sequi. Kjo, vuri në dukje ambasadori Sequi, “është arsyeja pse BE është e angazhuar dhe ka dhënë më shumë se 5 milionë euro për të mbështetur shoqërinë civile në vitet e fundit”.

Nënshkrimi i Marrëveshjeve është hapi i parë në drejtim të krijimit të një Komisioni Kombëtar për të Drejtat e Njeriut me funksione këshillimore pranë Avokatit të Popullit. Komisioni do të ketë në përbërjen e tij 20 anëtarë, nga të cilët 15 përfaqësues të shoqërisë civile dhe 5 personalitete të shquara e ekspertë të fushave me impakt të drejtëpërdrejtë në zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Si hap i dytë, organizatave do t’u kërkohet të përzgjedhin 15 përfaqësues të tyre për të bërë pjesë  në këtë Komision.

Komisioni do të ketë në fokusin e tij dy detyra kryesore, analizën e projektligjeve që i propozohen parlamentit si dhe të akteve nënligjore e dispozitave administrative (me kërkesën e qeverisë, apo me iniciativën e tij)  në dritën e qasjes që mban parasysh të drejtat e njeriut dhe të qytetarit, me qëllim përputhshmërinë e tyre me standardet e të drejtave të njeriut  si dhe monitorimin e zbatimit praktik të ligjeve, me qëllim identifikimin e progresit të bërë dhe nevojës për përmirësime. Në çdo rast, zbatimi i ligjeve do të bëhet në raport me kriteret ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë, me detyrimet e vendit në proceset e integrimit europian. (LajmeShqip.com)