Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 12:15

Tiranë – Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi e cilësoi dje, miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, si një hap të nevojshëm dhe të domosdoshëm.

Gjatë një interviste televizive, Sequi tha se heqja e e imunitetit për gjyqtarët dhe deputetët është një angazhim i mirë për të ecur përpara në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Duke u ndalur te çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Sequi tha se është e rëndësishme që ai të zgjidhet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe që të jetë një figurë që garanton unitetin kombëtar.

“Pres që Presidenti i Republikës të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe pikërisht këtu kemi mënyrën si zgjidhet dhe identiktin e Presidentit, si përfaqësuesi i unitetit të shqiptarëve. Dëshiroj që të shikoj gjithëpërfshirje në këtë proces”, tha Sequi.

Sequi vlerësoi gjithashtu figurën e Sabri Godos, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë. Sipas tij, “nëse do të ishte pyetur para 4 vjetësh për një emër që garanton të gjitha cilësitë që i duhen një Presidenti, ai nuk do të kishte nguruar të përmendte emrin e Sabri Godos”.

“Për paradoks unë e pashë atë para 4 vjetësh si presidentin ideal, pavarësisht se ky ishte një mendim i imi personal, i bazuar te marrëdhënia ime personale dhe një miqësi e fortë me të”, tha Sequi.