Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 18:29

Tetovë – Kryetari i Demokracisë së Re (DR), Imer Selmani, i shoqëruar nga bashkëpartiakë të tij ka qëndruar të hënën në Komunën e Tearcës, ku ka takuar qytetarët e kësaj komune. Ai para banorëve të kësaj komune ka shpalosur qëndrimin e prerë të DR-së për të hyrë në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pa kushtëzime.
“Unë besoj thellë se verdikti i qytetarëve këtë herë do të fuqizojë DR-në dhe vizionin e saj për ardhmërinë e këtij vendi. Bashkërisht, nuk do të lejojmë vazhdimin e politikave diskriminuese dhe poshtëruese për shqiptarët, politikave shkatërruese të ekonomisë së vendit, politikave izoluese për ardhmërinë e vendit në NATO dhe BE. Tani është koha qytetarët me votën e tyre të shenjtë t’u japin BDI-së dhe VMRO-së dënimin e merituar. Në këto zgjedhje, qytetarët duhet të vendosin mes politikanëve që interesin e popullit e kanë zëvendësuar me interesin e tyre të ngushtë personal apo grupor dhe çojnë vendin në humnerë dhe atyre politikanëve veprimi i të cilëve buron nga kërkesat e popullit dhe atyre që synojnë ardhmëri evropiane pa asnjë alternativë tjetër”, ka thënë Selmani.

“Ne synojmë të ndryshojmë Kushtetutën duke instaluar parimin e Badenterit në gjykata për të parandaluar diskriminimin dhe dënimin e shqiptarëve përmes majorizimit sikur në vitet e 90-ta. DR angazhohet për ndarje proporcionale të buxhetit të shtetit dhe për këtë kërkojmë që edhe buxheti të miratohet me shumicë të dyfishtë në Parlament. Investime duhet të ndodhin edhe në vendbanimet shqiptare dhe për këtë ne kemi projekte konkrete të cilat do të jenë pjesë e programit me të cilin do të garojmë në këto zgjedhje. Sa i përket integrimeve në NATO dhe BE, ne do të angazhohemi që në 100 ditët e para të Qeverisë së ardhshme kontesti rreth emrit të zgjidhet”, ka nënvizuar Selmani.