Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 17:11

Kumanovë – Lideri i Demokracisë së Re (DR), Imer Selmani, ka realizuar një takim me aktivistë dhe qytetarë të Kumanovës dhe Likovës.

Gjatë takimit në Kumanovë Selmani duke folur për politikën e Gruevskit ai tha se “ai po sillet si një autobus me plotë udhëtarë, por me një shofer që shikon vetëm në retrovizor i cili ose do të gabojë rrugën ose do të bëjë ndeshje”.

Ai më tej shtoi se gjatë tri viteve të fundit politika e Gruevskit po ndërton përmendore, muze, përkeqësim të marrëdhënieve ndërfetare në kala, andaj kjo politikë që merret me të kaluarën dhe që po kërkon armiq si brenda ashtu edhe jashtë (Bruksel, Uashington, Greqi) është si shoferi i autobusit që shikon vetëm në retrovizor.
DR, sipas Selmanit në këto zgjedhje do të del me platformë konkrete me të cilën do të kërkojë që qeveria e ardhshme, të zgjidh kontestin me Greqinë brenda njëqind ditëve të formimit të saj. “Në këto zgjedhje, DR, do të dalë me ofertë konkrete për reformat kushtetuese, për ndërtimin e një demokracie konsensuale që do të mundësojë shqiptarët të jenë popull shtetformues dhe shtetndërtues në këtë vend. Kjo ofertë e jona parasheh që Republika e Maqedonisë në 100 ditët e para të Qeverisë së ardhshme të zgjidh kontestin rreth emrit me Greqinë për anëtarësim të plotë në NATO dhe BE”, ka potencuar Selmani.

Sipas tij, “populli shqiptar në Maqedoni do të bëhet shtetformues dhe t’i ndajë resorët kryesorë të shtetit”.

Takim ai mbajti edhe në fshatin Orizare të komunës së Likovës ku theksoi se DR do të angazhohet për zhvillimin ekonomik dhe të infrastrukturës, ku çdo komunë do të marrë hisen e vetme e cila do të jetë edhe pjesë e platformës politike.