Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 15:00

Petrit Selimi është zyrtari më i ri i PDK’së që ishte bërë pjesë e Qeverisë së kaluar. Edhe këtë mandat kur Kryeministër është Isa Mustafa, ai mbanë pozitën e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme.

Në një intervistë për Gazetën Express, Selimi ka folur për mënyrën se si Kosova pritet të bëhet anëtare e UNESCO’së, për procedurat e ndjekura dhe për reagimin e bashkësive fetare për të përkrahur shtetin e ri drejt këtij mekanizmi të OKB’së.

Ky zyrtar i Qeverisë thotë se Isa Mustafa është njeriu kryesor i përmbushjes së programit qeveritar derisa nuk dëshiron të flasë shumë për 200 mijë vendet e reja të punës të premtuara nga PDK’ja. S’flet as për premtimin e Thaçit për rritjen pagash për 50 për qind.

Selimi ka pohuar se askush s’i di emrat e atyre që pritet të gjykohen nga Gjykata Speciale duke i quajtur spekulime përmendjen e emrave.

Sidoqoftë, Selimi është i sigurt se Thaçi do të bëhet President më 2016, kur edhe i skadon mandati Atifete Jahjagës. Thotë se opsion tjetër janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Është e shkruar qartë në Kushtetutë, nëse dështon zgjedhja e Presidentit vendi shkon automatikisht në zgjedhje. Nuk është alternativë, por realiteti në të cilën po jetojmë”, ka thënë Selimi, për Gazetën Express.

Selimi ka qenë i përfshirë edhe në Komisionin për Liritë Fetare, i cili kishte hartuar dy raporte: njërin që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e tjetri që e ndalon. Selimi thotë se shamia s’lejohet të bartet në shkollat fillore dhe të mesme që janë publike.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të PDK’së flet edhe për “selfien” e famshme me djalin e tij dhe Ivica Dacicin.