Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 20:46

Vjenë- Zëvendësminsitri kosovar i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi pohon se Prishtina nuk planifikon që gjithmonë të paraqitet me fusnotë në tubimet ndërkombëtare.

“Nuk e ndërrojmë emrin. Në marrëveshje qëndron se bëhet fjalë për zgjidhje të përkohshme”, deklaroi ai për mediumet austriake.

Edhe pse marrëveshja nuk funksionoi në tubimin e parë rajonal, sepse delegacioni kosovar dhe ai serb e braktisën sallën, në shenjë proteste, Selimi konsideron se kjo paraqet zhvillim pozitiv.

Me marrëveshjen, sipas tij janë fituar tre përparësi. E para është ajo që Kosova, në tubimet rajonale dhe organizatat rajonale mund të flasë pavarësisht, pa UNMIK-un. E dyta, sipas Selimit, është ajo që Kosova mund të marrë pjesë në marrëveshje multiraterale, prë shembull kur bëhet fjalë për ndërtimin e linjës hekurudhore, tregtinë apo sigurinë kufitare. E treta, shton Selimi, është ajo që marrëveshja e ka udhëzuar Kosovën në rrugë të qartë drejt BE-së.

Selimi theksoi se marrëveshja mundësoi avancim, duke treguar për studimin fizibiliti për kontraktimin e marrëveshjes për stabilizim dhe asociim me Bashkimin Evropian, e cila tani duhet të përpunohet.

Ai gjithashtu i kritikoi zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, të cilat janë shpallur edhe në Kosovë. “Ky është provokim dhe tërësisht e papranueshme”, porositi Selimi, duke shtuar se kjo paraqet shkelje direkte të asaj që BE-ja e pret nga kandidatët. Lidhur me integrimin e veriut të Kosovës, Selimi është optimist dhe theksoi se nevojitet kohë. (LajmeShqip.com)