Lajme Shqip Wednesday, 27 November 2013 13:29

Prishtine- Ka nisur seanca fillestare ndaj Sylejman Selimit dhe tre të tjerëve në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës.  Të gjithë të akuzuarit në rastin e dytë për krime lufte janë deklaruar të pafajshëm. “Jo, nuk jam fajtor”, ka qenë përgjigja e Sylejman Selimit kur është pyetur nga gjyqtari për akuzën ndaj tij, raporton KTV-ja. Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, dyshohet për cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të dy dëshmitareve, në bazë të dëshmisë të së cilave edhe është ngritur aktakuza. Pos ambasadorit Sylejman Selimi në aktakuzë janë edhe Nexhat Qubreli, Ismet Haxha dhe Shefki Hyseni, i cili ballafaqohet me akuzën e dhunimit të Dëshmitares A.

“Është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se çfarë po ndodh. Do të kujdesem që të gjithë të kuptojnë se këta zotërinj janë të pafajshëm deri sa nuk vërtetohet e kundërta”, ka thënë gjyqtari Philip Kanning. 

Avokati Tomë Gashi që mbron Selimin, ka kërkuar që lënda të bashkohet me atë të Grupit të Drenicës por gjyqtari ka thënë se kjo kërkesë të bëhet në fund. Prokurori italian, Mauricio Salustro po zëvendësohet nga një gjyqtare tjetër e EULEX-it.