Lajme Shqip Monday, 21 September 2015 14:17

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi, në emisionin “Info- Box” të TV Dukagjini, ka thënë se sipas informative të cilat i ka diplomacia kosovare, gjatë muajit tetor do të nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) në mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës.

Sipas tij, ka plotësisht besim se Republika e Kosovës brenda vitit do të jetë kandidate zyrtare e Këshillit të Evropës.

“I kemi pasur tri njohje gjatë këtij viti. Ato janë shtete sovrane. Ne duhet ta rrisim diapazonin e njohjeve – ai do të jetë multilateral. Diplomacia kosovare ka pasur diversitet të prioriteteve, duke patur disa shporta të njohjeve. Kemi sinjale që njohjet e ardhshme për Kosovën do të vijnë nga shtete ta cilat shtrihen në kontinente të ndryshme”, ka thënë Selimi.

Ai ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke theksuar se janë duke punuar fuqishëm me shtete që janë anëtarë të UNESCO-s që ta marrin përkrahjen e mjaftueshme që ato vende ta votojnë Kosovën si anëtare të UNESCO-s.

“Puna jonë, pa ofendim, pa degradim dhe kthim nga e kaluara, është vlerësuar shumë në këtë mekanizëm, për dallim prej Serbisë e cila ka bërë një lobim të egër. OKB-ja është përgjigjur qartë në raport më kërkesën e Serbisë që Kosova të mos bëhet pjesë e UNESCO-s, duke theksuar se kjo çështje takon ekskluzivisht vetëm UNESCO-S”, ka shtuar Selimi.