Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 07:59

Zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi, ka thënë se roli i kësaj ministrie karshi Gjykatës Speciale, është zero.

Mirëpo, Selimi ka thënë se Ministria e Jashtme, pasi që të kryhen të gjitha procedurat nga Ministria e Drejtësisë, do të fillojë negociatat me një shtet të tretë, me ndihmën e BE-së për vendosjen e Dhomave të Posaçme.

“Ministria e Jashtme me eksperët dhe juristët së bashku me MD pasiqë të kalojnë të cilat procedurat, fillon negociatat me një shtet të tretë, me ndihmën e BE-së për vendosjen e Dhomave të Posaçme”, ka thënë ai në emisonin Interaktiv të KTV, transmeton express.

Sa u përket listave të publikuara me emrat e atyre që mund të akuzohen nga Specialja, ai ka thënë se nuk beson se ato janë të vërteta.

“Ne kemi pasur gjatë tërë kohës gjatë kësaj periudhe listat. Unë personalisht nuk jam i prirë tu besoj konspiracioneve e listave, pa qenë zyrtare. Besoj se prokurori e ka ruajt këtë sekret, pa e shpërndarë, Do të ishte çudi që ende pa filluar procesi të dalin emra të personave të ndryshëm”, tha Selimi.

Ai ka thënë se me sa ka njohuri, “Thaçi asnjëherë nuk është intervistuar nga prokurori”.

Ndërsa lidhur me gjasat e Kosovës që të anëtarësohet në UNESCO, Selimi tha se është një betejë e vështirë. “Hapat formalë kërkohen tash në fillim të tetorit. Bordi do të rekomandojë se a e meriton Kosova të pranohet”.

“Besoj se do t’i kemi votat, pra dy të tretat. Askush nuk garanton një process të saktë, por shpresojmë se në bazë të punës së deritashme të anëtarësohemi. Serbia ka filluar një propagandë të egër për ta parandaluar Kosovën”, tha Selimi.