Lajme Shqip Sunday, 29 April 2012 17:40

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, apeloi sot  nga Selaniku, ku ai ishte i pranishëm në Konferencën Zgjedhore të LSI-së, për të përshpejtuar përmbushjen e të gjitha prioriteteve integruese të BE-së nga ana e politikës shqiptare, në mënyrë qe vendi të marrë sa më shpejt statusin e kandidatit për në BE. 

Meta vlerësoi nga Greqia rëndësinë që ka organizimi politik i LSI-së në diasporë, duke i cilësuar këto organizime si vazhdimi i një komunikimi më të drejtpërdrejtë mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe forumeve politike në Shqipëri. Konferenca Zgjedhore e LSI-së, me pjesmarrjen e 650 delegatëve nga Greqia e Veriut, u përshëndet dhe nga Kryetari i Bashkisë së Selanikut, Jani Butari, i cili e vlerësoi liderin e LSI-së për kontributin e tij për forcimin e marrëdhënieve të mira rajonale dhe të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Kryebashkiaku i Selanikut vlerësoi kontributin e madh që shqiptarët  kanë dhenë dhe vazhdojnë të japin në kapërcimin e krizës ekonomike që po kalon Greqia. “Në jemi vëllezër, ndaj së bashku, fale dhe kontributit që ju keni dhënë dhe vazhdoni të jepni, Greqia do të kaloj këtë krizë ekonomike.”, u shpreh Butari.

Ndërsa  Meta, gjatë fjalës së tij, bëri të ditur se objektivi kryesor i forcës së politike që ai drejton është t’i ofrojë shqiptarëve një politike ndryshe, t’u ofrojmë besim, përkushtim dhe profesionalizëm në politikë dhe qeverisje.  Duke vlerësuar rolin e pazëvëndësueshëm që kanë emigranët në procesin e integrimit të vendit,  Meta  tha se “LSI vlerëson si tepër të rëndësishme rolin e shtetasve e bashkëkombasve kudo ku ata jetojnë. Ndaj LSI-ja, synon përkujdesje të veçantë ndaj emigrantëve shqiptar, që ata të gëzojnë të gjitha të drejtat qytetare ku ata banojnë dhe punojnë”, tha ai.

Një tjetër temë tepër të rëndësishme për z.Meta, ishte dhe reforma zgjedhore, për të cilën  ai përsëriti dhe njëherë nga Selaniku nevojën që ky proces të mbyllet sa më shpejtë dhe të ketë si qëllim kryesor barazinë e votës për qytetarët shqiptare dhe garantimin e ushtrimit të kësaj të drejtë kushtetuese për emigrantët që ata të votojnë, kudo ku ata ndodhen. Pas procesit të votimit të 650 delegatëve nga Greqia e Veriut, rezultoi fitues për Kreun e LSI-së, Guri Peja dhe Arqile Llapa për Kryetar i Komitetit Drejtues. (LajmeShqip.com)