Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 16:45

Tiranë – Policia e kryeqytetit në kuadër të operacionit të koduar “Redon” sekuestroi mbrëmjen e djeshme një punishte me pije alkoolike të palicensuar dhe të rrezikshme për shëndetin, si dhe ndaloi pronarin e saj.

Në një njoftim për shtyp të Policisë bëhet e ditur se, “policia ndaloi Fatmir Haka, 54 vjeç, pasi u kap në flagrancë në afërsi të urës Vasil Shanto, me një sasi pijesh alkolike”.

Sipas policisë, pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij në rrugën “Robert Zhvarts” në kryeqytet, u sekuestrua një punishte me aparatura dhe një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike, si dhe esenca të ndryshme që përdoreshin për prodhimin e pijeve të ndryshme kryesisht konjak.

Policia bënë ditur se dyshohet se ky aktivitet ushtrohej në mënyrë të paliçensuar dhe të paregjistruar në organet tatimore, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore.

Materialet hetimore në ngarkim të Hakës i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të Prodhimit dhe shitjes të ushqimeve e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin.