Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:06

Tiranë-Sektori Kundër Pastrimit te Parave në Departamentin Kundër Krimit te Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Sindikalisti”, ekzekutuan sot vendimin e Gjykatës për “vendosjen e sekuestros së pronave dhe llogarive bankare të shtetasit Valer Behar Xheka, vjeç 61, banues në Tiranë si dhe të  familjarëve të tij”.

Përmes një deklarate për mediat, Policia e Shtetit bëri të ditur, në kuadër të këtij operacioni, i cili është në vazhdën e disa operacioneve të suksesshme të Sektorit Kundër Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit, deri në këto momente, është bërë sekuestrimi i një sasie prej rreth 278.823 USD, 98.045 Euro dhe 400.000 Lekë (të rinj).

Po ashtu, janë sekuestruar 3 ndërtesa me sipërfaqe 1.800 metra katrorë dhe një sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë në Tiranë.

Nga një hetim intensiv  i Sektorit Kundër Pastrimit Parave në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka rezultuar se gjatë kohës që drejtonte BSPSH-në, nëpërmjet “Shpërdorimit të Detyrës”, “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të Dokumenteve”,  Xheka ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme ish- shtypshkronjën “11 Shkurti”, tre ndërtesa një njëkatëshe, një dykatëshe dhe një trekatëshe me sipërfaqe 1.800 metra katrorë, një sipërfaqe trualli 6909 metra katrorë, në vendin e quajtur “Kodra e Priftit” Tiranë,  prona të BSPSH-së.

Pronat e mësipërme, në mënyrë të kundërligjshme, Xheka ua kalonte të afërmve të tij dhe më pas, ata ia kalonin sërish shtetasit Valer Xheka me Çertifikatë Pronësie.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit thuhet gjithashtu se “në ngarkim të shtetasit Valer Xheka është regjistruar Procedimi Penal nr. 2124 i vitit 2011 për veprën penale “Pastrim i produkteve të Veprës Penale”.

Bazuar në materialet e grumbulluara  nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dhënë masën e sekuestros për pronat dhe llogaritë bankare të këtij shtetasi dhe familjarëve të tij.

Ndërkohë që Sektori kundër Pastrimit të Parave, në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdon  hetimet  për dokumentimin e gjithë aktivitetit të tij kriminal.