Lajme Shqip Thursday, 17 September 2015 11:52

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic është pritur mbrëmë në Washington nga Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, pas takimit që ka pasur me Zëvendëspresidentin Biden. Kerry ka thënë se ka pasur një takim të mirë me Vucic, por ka theksuar se zyrtari serb e di që ende duhet bërë kur është fjala për marrëveshjet me Kosovën.

Kerry, duke iu drejtuar gazetarëve, para takimit me Vucic, ka thënë fjalë të mira për marrëveshjet në Bruksel.

“Ende ka punë për t’u bërë, sic e di edhe Kryeministri, por mendoj se ai dhe të tjerët janë duke e cuar këtë sfidë përpara dhe kjo është shumë e rëndësishme” ka theksuar ai.

Ndërkohë Vucic në fjalën e tij nuk e ka përmendur Kosovën fare.

Vucic është pritur edhe nga Zëvendësppresidenti i SHBA Joe Biden i cili ka theksuar rëndësinë strategjike, që sipas tij, kanë përpjekjet e Serbisë për të nxitur pajtimin rajonal në Ballkan dhe çuarjen përpara të dialogut me Kosovën, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas zyrës së Zëvendëspresidentit, zoti Biden dhe Kryeministri serb diskutuan edhe mbi procesin e integrimit në Bashkimin Europian, për të cilin të dy udhëheqësit janë dakord se do të garantonte qëndrueshmërinë dhe begatinë afatgjatë për Serbinë dhe rajonin. Biden përshëndeti përpjekjet dhe durimin, që sipas tij, po tregon Serbia për të përballuar valën e refugjatëve dhe krizën e tanishme të emigracionit. Ai premtoi se do të shikojë mundësinë që SHBA të japin mbështetje shtesë.

Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi zbatimin nga Serbia të reformave të nevojshme ekonomike dhe mbi rëndësinë e krijimit të një klime pozitive biznesi për të tërhequr investimet e ardhshme amerikane në Serbi. Ata diskutuan edhe mbi çështjen e sigurisë energjetike dhe të sundimit të ligjit.

Në prag të vizitës së zotit Vuçiç në Uashington, pesë anëtarë të Kongresit amerikan i dërguan një letër Nënpresidentit Biden, ku akuzonin Kryeministrin serb se ka lidhje me blerjen e disa kompanive strategjike dhe me keqësimin e mjedisit mediatik në vend.

Anëtarët e Kongresit ngrejnë akuza se një grup i vogël njerëzish të drejtuar nga vëllai i Kryeministrit, Andrej Vuçiç, dhe dy miq të tij të ngushtë, Nikolla Petroviç dhe Zoran Korac, “kanë konsoliduar ndikimin dhe interesin e tyre në fushat e energjisë, telekomunikacionit, infrastrukturës dhe në të gjitha bizneset e mëdha në Serbi”.

Kongresmenët thonë në letër se marrëdhëniet e këtij grupi me të dërguarin e posaçëm të presidentit rus Putin, Alexander Babakov, duhet të shqyrtohen me imtësi.

Në letër thuhet gjithashtu se të drejtat e gazetarëve “kanë rënë në pikën e tyre më të ulët që prej tiranisë së Sllobodan Millosheviçit” dhe se mediat në Serbi kontrollohen drejtpërdrejt nga Kryeministri, famila e tij dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të tij të biznesit.

Anëtarët e Kongresit kritikojnë edhe mungesën e përparimit në zgjidhjen e çështjes së tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë me origjinë shqiptare që luftuan përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më vonë u vranë në një qendër stërvitore të policisë në Serbi.

Pavarësisht nga premtimet e bëra ndaj familjes Bytyqi dhe qeverisë amerikane, – thuhet në letër, – Serbia ende nuk i ka gjetur fajtorët.