Lajme Shqip Sunday, 29 September 2013 11:24

Prishtinë- Fatmir Sejdiu po synon të rikthehet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu, Sejdiu po e pret përfundimin e zgjedhjeve lokale për të parë fuqinë politike të Isa Mustafës, jo vetëm në Prishtinë, por në tërë Kosovën.

Burime të afërta me Sejdiun kanë treguar se ish-Presidenti do ta pret edhe përfundimin e zgjedhjeve parlamentare për të marrë LDK nën udhëheqje, shkruan “Express”.

Sipas tij, nëse LDK nuk renditet e para në zgjedhjet parlamentare për këtë fajtor kryesor do të mbetet Isa Mustafa.

“Në këtë situatë rikthimi i Sejdiut në krye të LDK-së do të ishte shpëtim për Partinë e Rugovës”, ka thënë një zyrtar i afërt me Sejdiun.

Express ka tentuar të kontaktoj me Sejdiun, por s’ka arritur pasi ai nuk e ka hapur telefonin.

Sidoqoftë, as udhëheqësit aktual të LDK-së nuk kanë dashur të japin asnjë vlerësim për skenarin e Sejdiut që të kthehet në udhëheqjen e partisë.

Asnjëri prej nënkryetarëve dhe anëtarëve të Kryesisë nuk kanë dashur të flasin për rikthimin e mundshëm të Sejdiut në krye të LDK-së.
Kohë më parë, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi pati thënë se Fatmir Sejdiut mund të rikthehet në pozita udhëheqëse në LDK vetëm përmes një procesi zgjedhor.

“Mund të synojë që të arrijë edhe në postin e Kryetarit të LDK-së në një të ardhme. Mirëpo, kur të vijë koha në një proces zgjedhor. LDK e ka kryer procesin e zgjedhjeve. Tash është në procesin e reformës”, pati thënë Arben Gashi, në tetor të vitit 2011, për Express.

Në korrik të këtij viti, Sejdiu kishte deklaruar se është i gatshëm të kthehet në krye të partisë për të kthyer LDK përsëri në pushtet.

Ai kishte lëshuar akuza në drejtim të udhëheqjes aktuale, duke thënë se ata e duan LDK si trampolinë për t’i përmbushur ambiciet e tyre personale.

Për Isa Mustafën, Sejdiu kishte thënë se është një lider kalimtar të LDK-së.

Ndryshe, përkrahësit e Fatmir Sejdiut kanë hapur edhe një profil në Facebook, “Përkrahim Dr.Fatmir Sejdiun për kryetar te LDK-se”, i cili ka marrë afër 2 mijë përkrahës.