Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 19:33

Tiranë – Interpelanca mes deputetit socialist, Taulant Balla dhe kryeministrit Sali Berisha, është shoqëruar edhe nga ndërhyrjet e kryeparlamentares Topalli, e cila ka dalë në mbrojtje të kryeministrit Berisha.

Kjo gjë ka ndodhur sidomos kur Balla ka lëshuar akuza në drejtim të djalit të kryeministrit.

Topalli ka lëshuar disa ofendime në drejtim të Ballës, ndërsa nuk e ka përmbajtur dot veten, pasi ka lëshuar edhe disa të qeshura kur fliste Berisha.

“Ti ishe sekretari i parë i rinisë së partisë. Rri urtë, rri andej. Hajde me 22 mars festo edhe ti ditën e demokracisë. Hajde mor”, i ka thënë Topalli deputetit socialist, ndërsa ky i fundit akuzonte Berishën.

Balla ka reaguar, duke i thënë Topallit:“lëshojë mikrofonin boll e mbajte në gojë. Ke një problem të madh, nuk e kontrollon veten në sjelljen me deputetët, por dhe sa herë sulmohet kryeministri”.

Për ta mbyllur ka menduar kryeministri Berisha, që ka uruar deputeten socialiste, Arta Dade, për ditëlindjen, duke thënë se vërtet kemi përplasje politike, por nuk mund ta lëmë mënjanë njerzillëkun.