Lajme Shqip Thursday, 27 December 2012 15:47

TIRANË -Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2012 është shoqëruar me debate dhe akuza të forta mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon arritjeve dhe dështimeve të të dyja palëve gjatë këtij harku kohor. 

Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruci janë përfshirë në debate dhe akuza të ndërsjellta sa i takon refuzimit për të tretën herë të marrjes së statusit të vendit kandidat për ne BË. Shefi i qeverisë akuzoi opozitës për mungesë vullneti dhe bllokim të qëllimshëm të reformave që do i hapnin rrugë vendit për në familjen e madhe evropiane, ndërkohë numri dy i opozitës akuzoi kryeministrin se refuzimi ndodhi për shkak të politikës së gabuar të qeverisë ‘Berisha”. 

Debatet kanë qenë të ndërsjella, ku nuk kanë munguar dhe deklarata mbi zgjedhjet e vitit 2013, për të cilat Berisha shprehu besimin se do fitohen nga Partia Demokratike. PDIU kërkoi nëpërmjet deputetit te saj Dashamir Tahiri futjen e Rezolutes Came, në kalendarin e Parlamentit. 

Seanca e fundit e Kuvendit është mbyllur me thirrjen që Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i bëri ligjvënësve për miratimin e 3 kërkesave të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, por projektligjet e përfshira në rendin e ditës së Kuvendit që prej 10 tetorit, nuk kanë gjetur konsensusin e opozitës. Ndërkohë, janë votuar të gjithë projektligjet e parashikuara në rendi ne ditës.

Me poshte debatet:

RAMA: KRYEMINISTRI THOTË: SHQIPTARË, MOS VOTONI PËR VETE, VOTONI PËR BOTËN TIME
Deklaratat e kryeministrit Sali Berisha ku fajësohet kryetari i PS për dështimin e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE kanë marrë përgjigje nga vetë Edi Rama.
Në një reagim në rrjetin social në Twitter, Rama shprehet se kryeministri jeton në një botë fantazie.

“KM jeton në një botë tjetër ku ka punësim për të gjithë, ku paraja nuk mungon në asnjë shtëpi e ku për investimet e huaja është parajsë…”.

Kryesocialisti vijon më tej se “Në atë botë ka veç një problem: Opozita! Gjithçka tjetër për zili: Rrogat, pensionet, cmimet, prodhimet, rendi, shërbimet…Ah të mos qe opozita! Prandaj dhe KM u thotë shqiptarëve në qershor votoni për botën time jo për botën tuaj! Mbyllni sytë dhe fluturoni pas meje larg problemeve!”

BERISHA: PA MERAK GRAMOZ, DO TË SJELL NË PARLAMENT DHE BUXHETIN 2013
Pas fjalës së Rucit, kryeministri ka reaguar sërish. “E the një fjalë me vend kur the, ti Berisha solle buxhetin, po pra do të sjell dhe buxhetin 2013. për këtë bëhuni gati”.

Kryeministri më pas u ndal tek fshati duke u shprehur se investimet e qeverisë janë të dukshme dhe akuzat e pS të pabaza.
“Të falënderoj që ngrite cështjen e fshatit shqiptar.
A ju kujtohet kryetari juaj kur shkoi në udhëtimin epik në Kala të Dodës, shko tani, rruga është bërë. Shko në Gramsh, në Porcam, po nuk shkoni ju në Stbëblevë, në Cereshnik, shko shif ndërtimet, në fshatin e kryetarit tënd, në Mbrostan, shiko sa pak kemi investuar, prapa Shpiragut shko shiko. Më fal një minutë, shko në Aranit, në majë të Tomorrit dhe në cfarë rruge del, shko ku të duash. Është investuar dhe do investohet për fshatin”.

TAKIMI I BERISHËS ME GAZETARËT, REPLIKA RUCI-TOPALLI
Ruci komentoi takimin e fundvitit të kryeministrit Berisha me gazetarët. “Për herë të parë të kam parë mikrofon në dorë që nuk i shkon asnjë lideri evropian. U ngazëlleve për një studim zyre konsulence dhe nuk dole dhe nuk the asnjë fjalë për një studim të fvërtetë të një organi ndërkonbëtar me peshë që të radhiti si qeverinë më të korruptuar….”,- tha Ruci. 

Topalli: Rroftë Diktatori 

Ruci: Jozefinë shqiptari nuk do diktaturën tënde, por do arsim dhe nuk do kriminalitet.

Topalli: Shqiptyarët Janë më të shkëlqyerit në botë

BUXHETI, RUCI: BERISHA NUK I BINDET BB DHE FMN
“Si mund të quhet buxhet më i madh kur kalohet cdo kufi i borxhit. Pse nuk i bindesh Bankës Botërore dhe FMN-së dhe apelit për të mos kaluar kufirin 60 % të borxhit. Ky buxhet që iu e trumbetoni me kaq të madhe thellon borxhin publik shton varfërinë dhe rrit nivelin e papunësisë, braktis fshatin shqiptar”, theksoi Ruci.

ZGJEDHJET, RUCI: BERISHA MANIPULATOR I ZGJEDHJEVE
“Jemi vendi i vetëm ne evropën lindore që diskutojme zgjedhjet e lira demokratike dhe rrezikohen zgjedhjet. Se të mungon vullneti për të ndare mandatet dhe tendencat e tua për të marrë mandate në tavolinë e bëjnë KQZ që të ketë diskutime. Prova e dytës është vullneti jot i vonuar politik që nuk po votohen ZAZ dhe i cove në 100. Së treti QV dhe listat. Plus që ke dy detyra kryesore, Qarkun e Fierit dhe Tiranës. Njëra për matësat dhe tjetra për numërimin elektronik dhe kërkon ta sabotosh. Ti ngelesh po ti që ke qenë në manipulimin e zgjedhjeve”,- deklaroi Ruci.

“FIERI”, RUCI: AKUZAT E BERISHËS PËR MUA FLLUSKË SAPUNI
Ruci duke iu rikthyer edhe një herë cështjes së Qarkut Fier, deklaroi se asnjë vendi i BE-së nuk pranon të shkelet karta e pushtetit vendor, ndërkohë që akuzat se Rama fajëson numrin 2 të opozitës sa herë dështon i cilësoi “flluskë sapuni”.

“Nuk pranohet asnjë vend që të pranojë të shkelet karta e pushteti vendor. E gjithë akuza jote është flluskë sapuni, problemi është ajo që ke ti me zbatimin e gjykatave dhe të autonomisë së pushteti themelor”, tha Ruci.

PRIVATIZIMET, RUCI: MASHTRIM KLASIK, SHET SI SUKSES DËSHTIMIN
Kreu i grupit parlamentar socialist, akuzoi qeverinë për privatizimet, duke nënvizuar se Berisha shet për sukses dështimet e tij.

“Po të përmend 8 privatizime. U privatizua birra Tirana, Hotel Tirana, privatizuam dy banka të rëndësishme që të kanë mbajtur në këmbë mandatin e parë, Banka e Kursimeve dhe Banka Tregtare. Po kështu do thoja Albtelekom, AMC, Vodafon, Eagle. Pra këto janë privatizime dhe reforma të suksesshme, po ti tre ke bërë dhe ke dështuar me sukses. CEZ e ke përzënë apo të ikën. Një privatizim i bërë me shpejtësi në prag të fushatës elektorale , ARMO një grabitje kombëtare dhe e treta Albpetroli një mashtrim klasik që i ke bërë opinionit publik. Ku janë reformat e tua, ku është suksesi jot”,- theksoi Ruci.

RUCI I PËRGJIGJET BERISHËS: RAMA TË OFROI TË SHKONIT BASHKË NË BRUKSEL, TI REFUZOVE
Kreu i grupit parlamentar i PS-së Gramoz Ruci si replikë ndaj akuzave të kryeministrit Berisha i kujtoi se ishte kreu i opozitës që i kërkoi të shkonin bashkë në Bruksel ,por ai e refuzoi. Ndërkohë, numri 2 i opozitës e cilësoi zgjedhjen e presidentit Nishani arsyen e parë të refuzimit të statusit.

“Sa mirë do ishte që ti vërtet jo vetëm ta kishe hequr imunitetin, por të kishte veprim konkret që të fliste me shembuj konkret për luftën kundër korrupsionit që është plaga më e rëndë në qeverinë tënde. Po e di pse ndodh kjo se Berisha trumbeton se është hequr, ndërkohë që prokurorët veproijnë me kodin e procedurës që Kuvendi nuk e ka ndryshuar. E quani fitore zgjedhjen e presidentit, gabohesh. Këtu i dhe përgjigjen e parë dhe të fundit BE për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat dhe opozitës gjatë procesit të konsultimeve ai që ti ke shumë qejf ti zësh emrin në gojë, Edi Rama të propozoi tryeze bisedimesh që të zgjidhje presidentin, të bëjë reformë parlamentare dhe të dy bashkë të kërkonit statusin e vendit kandidat, por ti e refuzove pra je ti shkaktari për mos marrjen e statusit të vendit kandidat. E quan fitore të madhe atë që Kuvendi ka vendosur për institucionet kushtetuese, kjo është humbja më e madhe, pasi i ke kapur të gjitha institucionet kushtetuese. Si rezultat i politikës së gabuar quan sukses të madh reformat, nëse do kishe bërë reforma, do e jepnin efektin dhe sot nuk do ishim në krize dhe nuk do e rrisnim borxhin si rezultat i mosbërjes së reforma nuk ke rritje ekonomike”, deklaroi Ruci.

“Pakti për reformën në drejtësi e mban 4 vjet në sirtar dhe 4 vjet nuk të dolën që atë paketë nuk e bërë realitet asnjëherë se ty nuk të intereson reforma, por kapja e organeve të drejtësisë dhe këtë e tregon dhe rasti i fundit, të njëjtën gjë do thoja për reformën parlamentare dhe statusin e nënpunësit civil që është një nga vërejtjet më të mëdha të BE-së”,- shtoi Ruci. 

BERISHA: GËZUAR VITIN E RI ZGJEDHËSVE, GËZUAR DEPUTETË E TOPALLI, ME FITORE NË VITIN 2013
Kryeministri Sali Berisha vendosi të mbyllë fjalimin në seancën e fundit të Kuvendit për vitin 2013 me urimin për mazhorancën, “me fitore në vitin 2013”.

“Cështja e zgjedhjeve është interes i gjithë shqiptarëve që ato të jenë të përsosura në Shqipëri, por përveç kësaj ne duhet të ulemi të përcaktojmë rregulla të pranueshme nga të gjithë dhe t’u japim mundësi shqiptarëve kudo janë, të jenë një komb. Se roli i tyre në zhvillimin e rajonit, do jetë shumë më i madh dhe i suksesshëm. Urim, së pari për zgjedhësit shqiptarë, janë deputetë, ministrat kryeministrat e vërtetë të Shqipërisë, gëzuar vitin e ri. Gëzuar ju deputetë, gëzuar ju kryetarja e parlamentit, një vit i mbarë, me fitore në vitin 2013”. 

BERISHA: PARLAMENTI TË VOTOJË PLATFORMËN “TË BASHKOHEMI ME NJËRI-TJETRIN TË BASHKOHEMI ME EUROPËN” Ndërsa i është referuar sërish festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe idealit kombëtar, kryeministri Berisha kërkoi nga deputetët të votojnë rezolutën “Të bashkohemi me njëri-tjetrin të bashkohemi me Europën”.

“Ideali kombëtar është ideali suprem. Të bëjmë gjithçka të çojmë përpara këtë proces në kuadër të integrimit të vendit në Europë. Shqiptarët në 100-vjetor vërshuan nga të katër anët për tu krenuar, nga Alaska në Afrikën e Jugut për të festuar 100-vjetorin e Shqipërisë, 100-vjetorin e pavarësisë së këtij vendi pa të cilin s`mund të kishte asnjë zhvillim tjetër për shqiptarët kudo në botë. Është e domosdoshme që ky mesazh të lexohet dhe me guxim dhe Parlamenti të marrë një vendim historik për platformën “Të bashkohemi me njëri-tjetrin të bashkohemi me Europën” tha Berisha.

Më tej Berisha kujtoi një nga seancat si më të rëndësishmen në Kuvend.

“Ky vit ka pasur një seri seancash, por njëra prej tyre do përcillet vit pas viti deri në 200-vjetorin e pavarësisë së këtij vendi. Ishte seanca kur këtu u ulën familjarët të firmëtarëve të pavarësisë së Shqipërisë. Parlamenti nderoi ata burra e gra si pasardhës së patriotëve që përjetuan persekutimin, parlamenti u ngrit me atë seancë në lartësinë e duhur”.

Në këtë pikë Berisha bëri thirrje që të bëhet gjithçka për procesin e integrimit.
“Ndaj u bëj thirrje të nderuar deputetë, jashtë cdo tendence politizimi se ideali kombëtar është ideali suprem, të bëjmë gjithcka për të cuar përpara për këtë proces, në kuadër të integrimit në Europë”.

QARKU FIER, BERISHA, RAMA FAJËSON RUCIN SA HERË I LEVERDIS DUKE
 Duke iu rikthyer cështjes së qarkut të Fierit, kryeministri Berisha akuzoi Ramin se përdor kreun e grupit Gramoz Ruc sa herë i leverdis.

‘Kjo nuk ndodh në diktaturë se të presin ato që të presin, por në liri ndodh rëdomtë. Pasi paraqiti Fierin si pretekst tjetër që nuk ja përligji as edhe një njeri i vetëm fajëson Gramozin, i thotë të huajve se nuk më lejon Gramozi, e shumëzon 10 herë me 0 sa herë do Gramozin e të tjerët. Kur i leverdis i thotë se janë më të mirët për mua. Nuk i kam personale por i them të vërtetat sic janë. Pra ligjet bllokohen dhe mbahet muri, por demokracia ndaj është janë për tu mësuar, dhe për ta fshirë nga faqja e dheut atë mur për të ecur drejt Evropës sic e meritojnë”,- tha Berisha.

STATUSI, BERISHA: BLLOKIMI I RAMËS I PAPRECEDENTË, PS SHPIF THASHETHEME
Numri 1 i qeverisë gjatë fjalës së tij theksoi se Kuvendi i dha vendit një president me integritet të lartë, dinjitet, atdhetari dhe përkushtim të shkëlqyer, ndërkohë u ndal tek i vetmi problem “mosmiratimi i 3 ligjeve”, për të cilin fajësoi opozitën dhe liderin e saj. Berisha e cilësoi bllokimin e PS-së si të paprecedentë duke e cilësuar si rast unik në BE.

“Komisioni Evropian i dha Shqipërisë tre ligjet me qëllim marrjen e statusit, por të cilat qëndrojnë të bllokuara si mur për bllokimin e procesit të integrimit nga kreu i opozitës. Ky bllokim nuk ka ndodhur kurrë në historinë e BE, kurrë ndonjëherë një lider i një force kryesore politike nuk ka guruar të ngrihet kundër interesave të kombit të tij dhe të përdorë votën e qytetarëve që kanë si ëndërr kryesor integrimin, për të bllokuar ata”,- theksoi berisha. 

Shefi i qeverisë sqaroi edhe një herë se marrja e statusit të BE-së nga Shqipëria nuk lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ndërkohë që akuzoi opozitën për dezinfomim, sic bënë gjatë procesit të marrjes së ftesës për NATO. Sipas Berishës e BE-së kanë të bëjnë me dëshminë që palët duhet të japin për procesin e integrimit.

“Për muaj të tërë dëgjuar avoketërit e këtij bllokimi se dhënia e statusit lidhet me zgjedhjet. Ato janë proces kryesor i demokracisë. Por, zgjedhjet e 2009 që përmbushen standardet e OSBE nuk lejuan që statusit të lidhet me zgjedhjet. Natyrisht hapja e negociatave është lidhur dhe do lidhet m zgjedhjet, por jo statusit. Shqipëria, demokracia, lufta kundër krimi dhe korrupsionit kishin bërë të mundur që KE, institucioni kryesor që merr në shqyrtim në këtë proces veprimtarinë e të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit konkludoi se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat ndaj duhet të votohen tre ligjet. Jo se këto ligje kanë vakum, por si një dëshmi se të gjitha palët janë për procesin e integrimit. Kjo në mënyrën më paradoksale nuk ndodhi. KE në fillim të dhjetorit, po kështu Këshilli i Ministrave dhe me pas PE, tre instucionet themelore qartësuan se kushti i vetëm për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë ishte votimi i tre ligjeve dhe jo zgjedhjet e ardhshme. Makineria e dezinformimit qarkullon të njëjtat thashetheme dhe shpifje që qarkulluan në prag të marrjes së ftesës në NATO”, theksoi Berisha. 

SEANCA E FUNDIT, BERISHA: HUMBËSI KËRKON NDRYSHIME LIGJI CDO 4 VJET
Kryeministri i vendit Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit ka përgëzuar punën e bërë gjatë vitit 2012 nga ligjvënësit shqiptarë, të cilët arritën miratimin e një sërë ligjesh të rëndësishme sic ishte reforma zgjedhore apo heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Ndërkohë, nuk ka kursyer as sulmet dhe akuzat ndaj PS-së dhe liderit të saj.

“Është njëë rast shumë i vencatë për mua të shpreh nderimin tim të madh për punën e madhe që ka bërë ky tempull i demokracisë gjatë vitit 2012. Të shpreh vlerësimin tim për votimin e reformave të mëdha, por edhe historike në parlamentin shqiptar gjatë vitit që lëmë pas, sic ishte heqja e imunitetit për të gjithë imunitarët e vendit, ka bërë Shqipërinë në këtë aspekt një vend me civilitet të lartë. Pa diskutim reforma zgjedhore përbën një sukses të madh, jo se ligji që u ndryshua kishte probleme, ai ishte i standardeve më të mira”, deklaroi Berisha.

“Po ju garantoj se cdo mandat do të ndryshojë për faktin se humbësi fillon e grindet me ligjin ndaj nuk mbetet alternativë tjetër vetëm ndryshimi i tij cdo katër vjet”, shtoi Berisha.

MJETET E KONFISKUARA, NOKA: DO INVENTARIZOHEN
Kuvendi po debaton të enjten në seancë plenare p/ligjin “Për trajtimin dhe destinacionin e mjeteve rrugore dhe lundruese të konfiskuara nga policia, deri më datë 30 dhjetor 2010”, Drafti i propozuar nga ministria e Brendshme parashikon që ato mjete që nuk kanë probleme në ndjekje, hetim apo verifikim, do t’i kalojnë nën administrim Rezervave Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas destinacionit të parashikuar në legjislacionin në fuqi. 

Opozita e kundërshtoi p/ligjin si “të pazbatueshëm” dhe hartimin e tij si “të nxitur nga ‘mafia e skrapit’, klientë të qeverisë”.
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, tha se janë rreth 4500 automjete të konfiskuara nga Policia. Por, sqaroi ai, me miratimin e këtij ligji në Ministrinë e Brendshme do të ngrihet një grup pune, i cili do të inventarizojë, në mënyrë të detajuar, të gjitha mjete motorike që janë në oborret e komisariateve dhe për të konkluduar më pas se sa prej tyre janë në gjendje pune dhe sa jo. Për ato që do të jenë funksionale do të shqyrtohet mundësia të kalojnë në Rezervat e Shtetit ose institucioneve që kanë nevojë. Ndërsa ato që janë jashtë përdorimit do të shiten për skrap dhe të ardhurat do t’i kalojnë buxhetit të shtetit”, sqaroi ministri Noka.(B.W/LajmeShqip.com)