Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 18:59

Kajro – Kryetari i Dhomës së Lartë të Parlamentit egjiptian, Ahmed Fahmy, ka deklaruar për gazetat egjiptiane se Egjipti pas Revolucionit të 25 janarit ndryshon nga ai që ka qenë më parë lidhur me shumë çështje botërore. Ai ka theksuar se Dhoma e Lartë e Parlamentit egjiptian, si institucion i zgjedhur nga populli egjiptian, mbështet pavarësinë e Kosovës, duke shprehur simpatinë e plotë të Egjiptit me popullin e Kosovës

Fahmy ka konfirmuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën kulturore e ekonomike, duke shprehur bindjen se qeveria e re egjiptiane, për dallim nga politika e qeverisë së para 25 janarit, do të marrë shumë shpejt vendimin për njohjen e Kosovës.

Ndërsa, Hossam Ghariani, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe kryetar i Asamblesë Kushtetuese, që do të hartojë Kushtetutën e re të Egjiptit, ka shfaqur shpresën se Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare në OKB-së. “Kjo do të jetë shtysë e madhe për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës dhe realizmin e ambicieve të popullit kosovar, i cili ka lidhje të ngushta historike e vëllazërore me popullin egjiptian”.

Para pak ditësh, një delegacion parlamentar i Kosovës, i udhëhequr nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka vizituar Egjiptin, ndërsa tash e dy vjet ministri Hoxhaj ka zhvilluar aktivitete të shumta me qëllim të përshpejtimit të njohjes nga Egjipti, thuhet në një komunikatë për media të MPJ-së.(LajmeShqip.com)